Kur u rrëzua statuja e tregtarit të skllevërve Edward Colston në Bristol, ajo simbolizoi shpresë. Tani qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të sjellë ndryshime të vërteta.
Simon Woolley*
Rrëzimi i statujës së Edward Colston, një tregtar britanik skllevërish, pesë vjet më parë, u ndje si një moment historik. Duke rrëzuar këtë statujë dhe duke e hedhur simbolikisht në portin e Bristol-it, protestuesit – kryesisht të bardhë – tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare ndaj barbarisë së skllavërisë afrikane, pasurisë që ajo gjeneroi dhe që fuqizoi Mbretërinë e Bashkuar globalisht, si dhe trashëgimisë së saj, e cila në mënyrë të tërthortë çoi në vrasjen e George Floyd, më pak se dy javë më parë.
Pesë vjet më pas, megjithatë, duket iluzore që nga ato protesta mund të kishte ndodhur një “reset” global mbi çështjen racore. Atëherë, pabarazitë strukturore racore u ekspozuan edhe nga pandemia e Covid-19. Pamjet në ekranet tona ishin tronditëse, me mjekë dhe infermierë afrikano-aziatikë që vdisnin në mënyrë disproporcionale. Të njëjtat komunitete ishin më të ekspozuara, të detyruara të punonin në punë të pasigurta si pastrues, punëtorë kujdesi apo roje sigurie – duke rritur rrezikun ndaj sëmundjes vdekjeprurëse.
Këto dy ngjarje tronditëse nxitën një diskutim që nuk e kishim parë kurrë më parë në Mbretërinë e Bashkuar. Korporatat nisën mbledhje të shumta me stafin për të diskutuar si të përgjigjeshin ndaj protestave të “Black Lives Matter”. Edhe unë, bashkë me aktivistë të tjerë për barazi racore, u ftova shpesh.
Zakonisht, diskutimet hapeshin nga drejtori apo CEO-ja, duke shprehur përkushtimin për barazi racore, ndjekur nga ajo fraza e zakonshme: “Por duhet të bëjmë më mirë.” Më pas vinte e vërteta e pakëndshme, nga vetë punonjësit e zinj, që për herë të parë ndiheshin të guximshëm për të folur hapur.
“Kam 20 vjet që punoj në këtë kompani. Kam humbur numërimin se sa gra të bardha kam trajnuar, dhe pastaj ato promovohen dhe bëhen shefat e mi.”
“Normalisht nuk guxojmë të flasim. Menaxherët përhapin fjalën shpejt që njerëzit e zinj janë problematikë dhe gjithmonë ankohen.”
Pashë një grua t’i thoshte shefit të saj:
“Nuk më intereson nëse më pushon nga puna. Më ka ardhur në majë të hundës. Kjo që bëni ju, të shtireni sikur mbështesni ‘Black Lives Matter’, është si të shfaqeni për 10 minuta në një event të muajit të historisë së zezakëve. Nuk ndryshon asgjë.”
Ishin biseda të vështira e tronditëse, por falë protestave të zgjatura të BLM, ato nxorën në dritë veprime që shpresonim të sillnin ndryshime brezash. Për shembull, bordet e kompanive filluan të reflektonin mbi mungesën dëshpëruese të anëtarëve të zinj. Institucione të ndryshme emëruan burra dhe gra të zinj në poste të larta. Një nga ndryshimet më të dukshme ishte përfshirja e personazheve të zinj në role të zakonshme në reklama, televizione dhe filma – duke u larguar nga stereotipet e zakonshme të “të këqijve” apo “shenjtorëve”. Kjo normalizim kulturor i fytyrave të zeza dhe aziatike në ekranet tona mund të luajë ende një rol të rëndësishëm në afrimin e komuniteteve.
Edhe në arsim u duk se po niste një ndryshim institucional. Universiteti im, Cambridge, nën drejtimin e rektorit Stephen Toope, kishte nisur që më 2019 një hetim të thellë për lidhjet e veta me skllavërinë. Pas rrëzimit të Colston-it, edhe universitete si UCL, Newcastle, Nottingham dhe Nottingham Trent hapën arkivat e tyre. Disa nisën të zgjerojnë kurrikulat, duke përfshirë perspektiva nga bota në zhvillim.
Megjithatë, pavarësisht gjithë këtij optimizmi, vrulli kombëtar filloi të ngadalësohej, pastaj u ndal dhe në disa raste u përmbys. Pengesa më e madhe erdhi nga qeveria e Boris Johnson, e cila – përballë presionit të protestave – u detyrua të krijonte një komision për racën. I udhëhequr nga Tony Sewell, ky raport mbi racizmin sistemik në Mbretërinë e Bashkuar u konsiderua gjerësisht si një nga raportet më të dështuar mbi racën. Sewell vuri në dyshim ekzistencën e racizmit sistemik dhe madje tha se kishte një “anë pozitive” në skllavërinë afrikane, pasi “nuk ishte vetëm për fitim dhe vuajtje, por edhe për mënyrën se si njerëzit afrikanë transformuan veten”. Johnson e shpërbleu me titull fisnik në vitin 2022.
Faktorë të tjerë që ngadalësuan ndryshimet ishin sulmet nga e djathta ndaj futbollistëve anglezë që u ulën në gjunjë në mbështetje të BLM. Pastaj erdhën sulmet ndaj teorisë kritike të racës, e cila analizon aspektet strukturore të pabarazisë racore. Në vitin 2024, klima ndryshoi plotësisht, nga përpjekjet për të trajtuar pabarazitë në trazira të mbushura me urrejtje racore, me tentativa për të djegur myslimanë dhe refugjatë. Pamje të paprecedenta, të nxitura nga gënjeshtrat për vrasësin e Southport-it, por të ushqyera nga vite me tituj islamofobikë dhe anti-emigrantë në media, na rikujtuan turmat linçuese të Ku Klux Klan-it.
Këtë vit kemi një president amerikan që kërkon që bizneset dhe institucionet publike të braktisin programet e tyre të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI). Shumë institucione, në SHBA dhe MB, që kishin mbështetur lëvizjen BLM, nuk u desh shumë për t’u tërhequr dhe për të braktisur premtimet e tyre.
Pesë vjet pas atij momenti të paharrueshëm në Bristol, shumë nga shpresat për ndryshim të qëndrueshëm dhe brezash janë zhdukur. Megjithatë, kemi njëfarë shprese që, edhe pse sipërfaqësisht shumë kompani janë tërhequr, disa vijojnë fshehurazi rrugën e DEI. Disa të tjera, si Co-op, ku jam drejtor, i mbajnë me krenari këto vlera.
Unë besoj se shpresa më e madhe do të vijë nga dhjetëra mijëra njerëz, të zinj dhe të bardhë, të rinj dhe të moshuar, që kërkuan ndryshim gjatë protestës më të gjatë për barazi racore që është parë ndonjëherë. Ata nuk janë zhdukur dhe nuk kanë humbur idealet. Sfida për këtë qeveri, dhe për të tjerat që do të vijnë, është t’i rilidhë dhe t’i fuqizojë ata që të kërkojnë ndryshimin historik që ende e duan.
*Simon Woolley është bashkëthemelues i Operation Black Vote dhe drejtues i Homerton College, Cambridge.
Përgatiti për botim: L.Veizi