Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj kompanive të naftës, pas sulmeve të ndërmarra ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Në një postim në platformën Truth Social, Trump i kërkon industrisë së energjisë të mbajë çmimet e naftës të ulëta, duke i akuzuar për bashkëpunim të pavetëdijshëm me kundërshtarin.
“Të gjithë mbajini çmimet e naftës të ulëta. Po ju vëzhgoj! Po luani lojën e armikut. Mos e bëni”, shkroi presidenti amerikan.
Reagimi i tij vjen mes tensioneve në rritje në Gjirin Persik, ku autoritetet iraniane kanë përmendur mundësinë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit si hakmarrje për sulmet. Kjo ngushticë është një rrugë ujore strategjike për tregtinë globale të energjisë, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror.
Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndërprerje në këtë korridor do të shkaktonte tronditje të mëdha ekonomike në shkallë globale, me pasoja të rënda për shtetet kryesore importuese si Kina, India dhe Japonia. Rritja e çmimeve të energjisë do të reflektohej menjëherë në koston e mallrave dhe shërbimeve, duke goditur direkt konsumatorët në mbarë botën.
Tensionet në rajon vijojnë të thellohen, ndërsa bota vështron me shqetësim zhvillimet që mund të ndikojnë ndjeshëm në tregjet energjetike dhe stabilitetin global. m.p.