Pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe sulmeve ndaj objekteve të ndjeshme në Iran, qytetarët kanë ngritur shqetësime për rrezikun e mundshëm nga rrezatimi. Por ekspertët qetësojnë duke thënë Shqipëria nuk përballet me asnjë rrezik radiologjik.
“Rreziku është zero”, deklaron Dr. Rustem Paci, specialist për mbrojtjen nga rrezatimi në Institutin e Shëndetit Publik.
“Deri më tani nuk ka të dhëna për nivel të rritur të rrezatimit as atje, sepse jemi në kontakt të vazhdueshëm. Shqipëria ka 10 pika monitorimi që sinjalizojnë çdo 10 minuta nëse ka rritje të nivelit të radioaktivitetit.”-tha Paci.
Megjithatë, vendi është i përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Shqipëria ka të hartuar një plan emergjence për përballimin e situatave radiologjike, i cili aktivizohet vetëm në rast se sinjalizohet rrezatim dhe përfshin masa konkrete për mbrojtjen e popullatës.
“Ky plan ka të bëjë me se si të mbrohemi, ku të shkojmë, sa të qëndrojmë. Aktivizohen skuadrat e emergjencës sapo sinjalizohet niveli i rrezatimit.”-tha Paci.
Duke qenë anëtare e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Shqipëria ka detyrime për të ruajtur sigurinë radiologjike, edhe pse nuk ka central bërthamor në territorin e saj.