Banka e Shqipërisë ka ulur për vitin 2025 normën bazë të interesit, nga 2.75% në 2.5% për monedhën kombëtare Lek. Për herë të fundit norma bazë e interesit kishte ndryshuar në nëntor 2024, nga niveli i 3% në 2.75 për qind.
Në një intervistë për Ora News, eksperti i ekonomisë Klodian Muço u shpreh se edhe pse e vogël, kjo ulje ka ndikim pozitiv tek ata që kanë kredi bankare në lekë.
“Ulja e normës bazë të interesit poatjetër që ndikon tek të gjithë ata persona që kanë marrë një kredi për një shtëpi dhe kanë norma variable të kredive për të gjithë ata që kanë marrë kredi në lekë, por edhe për ata që do të marrin në të ardhmen kredi, sidomos pjesa e biznesit.
Kështu edhe pse është një ulje minimale gjithsesi ka impaktin e saj në pjesën e uljes së kostos së parasë dhe që lexohet pozitivisht për të gjithë ata që e kanë një kredi apo edhe për ata që në të ardhmen do të duan të marrin një kredi në monedhën vendase.
Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në normën bazë të interesit pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore Europiane, kështu që është në koherencë me politikat monetare evropiane”, është shprehur ndër të tjera Klodian Muço, ekspert i Ekonomisë.