Michael Madsen, ikonë e kinemasë së viteve ’90, ndërron jetë në moshën 67-vjeçare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Aktori i njohur amerikan Michael Madsen, i cili u bë ikonë e kinemasë së viteve ’90 me rolet e tij të pashlyeshme si burrë i rrezikshëm, enigmatik dhe herë-herë i dhimbshëm, ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare. Ai u gjet i pajetë në banesën e tij në Malibu, Kaliforni, të enjten në mëngjes. Sipas autoriteteve dhe përfaqësuesve të tij, shkaku i vdekjes ishte arrest kardiak, ndërsa nuk dyshohet për ndonjë lojë të keqe.

Lajmin e konfirmoi menaxheri i tij, Ron Smith, në një deklaratë së bashku me menaxheren tjetër Susan Ferris dhe publicisten Liz Rodriguez:

“Gjatë dy viteve të fundit, Michael ishte përfshirë në projekte të shkëlqyera të kinemasë së pavarur, si filmat ‘Resurrection Road’, ‘Concessions’ dhe ‘Cookbook for Southern Housewives’. Ai ishte duke përgatitur gjithashtu një libër të ri me poezi dhe reflektime personale, të titulluar ‘Tears for My Father: Outlaw Thoughts and Poems’. Michael ishte një nga aktorët më ikonë të Hollywoodit dhe do të na mungojë thellësisht.”

Një karrierë prej katër dekadash – ikona e burrave të ashpër

Gjatë një karriere që zgjati mbi katër dekada, Michael Madsen u bë sinonim i antieroit, i figurës burrërore të egër, por me një melankoli të fshehur nën buzëqeshjen e tij të dyshimtë. Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht me rolin e Mr. Blonde në filmin debutues të Quentin Tarantino-s, “Reservoir Dogs” (1992), ku me një hijeshi brutale dhe një mizëri poetike krijoi një nga skenat më të diskutueshme të kinemasë moderne. Madsen kishte shpresuar për rolin e Mr. Pink (që përfundoi te Steve Buscemi), për të luajtur më shumë me heroin e tij, Harvey Keitel, por në vend të kësaj, ai krijoi një figurë që mbeti në kujtesën kolektive të kinemasë.

Ai do të rikthehej përsëri në universin e Tarantinos me “Kill Bill: Vol. 1”, dhe më pas në “The Hateful Eight” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”. Por karriera e tij shtrihej shumë më gjerë, me 346 role të regjistruara në IMDb, përfshirë filmat “Donnie Brasco”, “Thelma & Louise”, “Free Willy”, “Species”, “Sin City”, “The Doors”, madje dhe “Scary Movie 4”.

Një burrë i një kohe tjetër

Madsen nisi karrierën në skenat teatrore të Steppenwolf Theatre Company në Çikago, si nxënës i John Malkovich, dhe debutoi në ekranin e madh në filmin shkencor “WarGames” (1983). Por ai shpesh ndiente se nuk i përkiste kohës së tij, siç u shpreh vetë në një intervistë për The Guardian në vitin 2004:

Lexo edhe :  Plumbat e luftës, brenda muzeve fantazmë të Ukrainës

“Ndoshta kam lindur në kohën e gabuar. Jam një rikthim në ditët e filmave bardhë e zi. Ato personazhe kishin një drejtësi të thjeshtë në mënyrën si e sfidonin botën. Mendoj se aty do të isha më i përshtatshëm.”

Ai nuk fshihej pas shkëlqimit të tapetit të kuq. Madsen preferonte të gërmonte kanale ose të drejtonte kamionçinë, sesa të vinte grim dhe të vishej si personazh. Ishte një figurë e përplasur mes romantizmit të vjetër dhe realitetit brutal të Hollywoodit, shpesh i lënë në harresë nga një industri që ai e ndihmoi të fitonte miliona.

“Kur isha në fund të gjithçkaje, në prag të shuarjes, do të prisje që dikush në Hollywood të më mbante gjallë, të më jepte një shans. Por nuk ndodhi. Asgjë nuk ndodhi.”

 

Një jetë personale e trazuar dhe e dashur njëkohësisht

Michael Madsen ishte vëllai i aktores Virginia Madsen. U martua tre herë dhe ishte baba i shtatë fëmijëve, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë para tij. Motra e tij Virginia, në një homazh emocional për revistën Variety, shkroi:

“Vëllai im Michael ka lënë skenën. Ai ishte bubullimë dhe mëndafsh. Dredhi e mbështjellë me butësi. Poet i maskuar si i jashtëligjshëm. Baba, bir, vëlla – i gdhendur në kontradikta, por i zbutur nga dashuria që linte gjurmë. […] Nuk po vajtojmë një figurë publike. Po vajtojmë mish e gjak, një zemër të egër. Ai kaloi nëpër jetë si stuhi – i zhurmshëm, i ndritshëm, gjysmë legjendë, gjysmë ninullë.”

“Do të më mungojë qeshja e tij, batutat tona të brendshme, zëri i tij. Do të më mungojë djali që ishte, përpara se të bëhej legjendë. Vëllai im i madh.”

Në kujtimin e të gjithëve, Michael Madsen do të mbetet si një figurë unike e ekranit – i papërsëritshëm, kontradiktor, i vërtetë. Një outlaw me shpirt poeti.

Burimi: theguardian.com/ Përgatiti: L.Veizi

Të fundit

Pagat rriten, 366 miliardë lekë në arkë, por shpenzimet frenohen nga zgjedhjet

Në gjysmën e parë të këtij viti, në arkën e shtetit u futën gati 366 miliardë lekë. Të dhënat...

Tmerr në dhomën e rezonancës/ Skaneri ‘gëlltit’ të moshuarin me zinxhir metalik

Një incident i rëndë ka ndodhur të mërkurën pasdite në një qendër imazherie në Long Island, duke lënë një burrë 61-vjeçar në gjendje kritike. Ngjarja...

Sezoni turistik/Zona e Adriatikut 90% e mbushur me pushues, Jugu ka luhatje! Shkak çmimet

Shqipëria është listuar një nga 7 vendet më të përballueshme në Europë për udhëtarët. Në lidhje me këtë renditje në ‘Sot Live në Shqipëri’ ishte...

Bashkitë dhe privati do të detyrohen të investojnë në teknologji

Nga Berati, ku u takua mepërfaqësues sipërmarrjeve në sektorin e teknologjisë, inovacionit dhe start-up-eve, Kryeministri EdiRama paralajmëroi vendosjen e një detyrimi për sektorin privat...

Rama tregon pse ndërtimet në Theth s’u ndaluan në kohë

Pas debateve të shkaktuara nga aksioni i fundit i qeverisë për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, Kryeministri Edi...

Lajme të tjera

Web TV