Miti i kriminelëve shqiptarë si një alibi e Berishës për humbjen shkatërruese

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një nga alibitë kryesore me të cilat Berisha po përpiqet të justifikojë humbjen e tij shkatërruese të 11 Majit është ndërhyrja e krimit të organizuar në zgjedhje. Edhe pse përpiqet të marrë si ilustrim votat e një kandidateje të PS në Elbasan që janë anomalisht të larta, dhe të fshehë faktin që një deputet i tij në Durrës është direkt pjesë e përleshjes së bandave me njëra-tjetrën, ai në të vërtetë më shumë sesa është duke i bërë ndonjë shërbim drejtësisë, është duke u bërë shërbim mitit të kriminelëve në shoqërinë shqiptare.

SPAK ka bërë një punë të lavdërueshme lidhur me krimin e organizuar. Më shumë sesa arrestime masive të grupeve kriminale dhe depërtimin brenda atyre përmes të penduarve, ai i ka bërë një shërbim të çmuar shoqërisë shqiptare duke bërë publike bisedat e krimit të organizuar shqiptar në encrochat apo aplikacionet e tjera me të cilat komunikojnë. Këto biseda të zbardhura, pavarësisht fuqisë së tyre ligjore të diskutueshme, kanë padiskutim një meritë të madhe, pasi çmitizojnë kriminelët shqiptarë si gjoja grupe të organizuara kriminale apo kriminelë që komandojnë politikën. Ato na tregojnë një tufë njerëzish të gjymtuar mendërisht, frikacakë, të pabesë, injorantë, herë-herë të dhunshëm në ekstrem në mënyrë disproporcionale me objektivat që kanë, dhe mbi të gjitha të çorganizuar. Deri më sot, nga ato që ka bërë publike SPAK, ne nuk kemi asnjë grup kriminal të strukturuar në një nivel të tillë që mund të merret në konsideratë si grup mafioz në kuptimin që mafia ka në Perëndim, sidomos në vendet fqinje me ne. Ne kemi thjesht një tufë kriminelësh që janë ushtarë të paguesit më të parë.

Në këtë aspekt, krijimi i një miti të rremë për përfshirje të kriminelëve në zgjedhjet shqiptare, është një vepër e mirëfilltë “bamirësie” për krimin në Shqipëri, kryesisht prej Sali Berishës, i cili duke u përpjekur të justifikojë humbjen e tij, po ngre një mit të rremë që nuk ekziston.

Ideja se dy-tre kriminelë në Durrës apo Elbasan paskan vënë popullin në rresht të votojë, përveçse është fyese, është një sponsorizim direkt i krimit për të forcuar mitin e tyre.

Lexo edhe :  S’mund t’i besosh Shqipërinë dikujt që s’i beson askujt

E vërteta është se krimi shqiptar as ndikon dot në zgjedhje, as ka guximin të përfshihet direkt në fushatë. Shumë prej tyre, natyrisht, i përdorin fushatat për të zgjidhur ndonjë hall të tyre dhe për të bërë ndonjë pazar, por jo për të sjellë vota njërit apo tjetrit kandidat. Ndikimi i tyre, edhe në ato pak vende ku përfliten, si në Elbasan apo Durrës, mund të jetë shumë herë më i vogël se ndikimi i ndonjë biznesmeni të madh apo faktori të fuqishëm ekonomik lokal.

Ajo që e bën të rëndësishëm krimin shqiptar është pikërisht ky debat pas zgjedhjeve, kjo përpjekje e Berishës për alibi, i cili për të shpëtuar “nderin” e tij, forcon “nderin” e kriminelëve, duke i mitizuar ata si mafiozë që diktojnë zgjedhjet në Shqipëri.

Niveli më i lartë i një banditi shqiptar është niveli i një gangsteri lokal që maksimumi mund të përfitojë nga lidhje klanore lokale.

Kriminelët shqiptarë bëhen të rrezikshëm pas zgjedhjeve, pikërisht në momente të tilla kur për ta flitet si për aktorë të rëndësishëm. Ata që në fakt në fushata fshihen si minj, se mos i sulmon dikush politikisht dhe shkojnë në burg, pas fushatës, në situata si kjo kur Sali Berisha i përmend çdo ditë, ata fillojnë e faktorizohen dhe u imponohen drejtuesve lokalë, por edhe pushtetarëve, si njerëz me “merita”. Dhe kanë si “fakte” sulmet e Sali Berishës për ta.

Ndaj, nëse ka një gjë që duhet luftuar dhe ku qeveria duhet të bëjë kujdes, është pikërisht sponsorizimi që Sali Berisha i bën krimit të organizuar për ta faktorizuar dhe për t’i dhënë të drejta të kërkojë meritat e një lufte që s’e ka bërë kurrë. Duke qenë ortak me ta në këtë betejë për t’u “dukur të fortë”, Sali Berisha në fakt është sponsori më i madh i krimit shqiptar, i cili nuk është as krim i organizuar dhe as faktor politik, por thjesht një bandë gangsterësh që ndihen të rëndësishëm falë Sali Berishës./e.t

Të fundit

Një odise e seksit dhe vdekjes. Kryevepra e Millet që elektrizoi artin modern

Nga Jonathan Jones Ishte Salvador Dalí ai që e ktheu një skenë të vogël dhe të përqendruar rurale me...

Kryebashkiaku i Hasit: Nuk kemi luksin dhe as kapacitet për urdhrat e Ramës

I komentuar si kryebashkiaku që nuk po i bindet urdhrave verbalë të kryeministrit për të kërkuar dorëheqjet e vartësve, qytetari numër një i Hasit,...

“Unë nuk vizatoj gra”, Trump hedh poshtë letrën e “pistë” për abuzuesin Epstein

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili është vënë nën presion për çështjen Epstein, ka njoftuar se synon të publikojë disa dokumente ligjore që...

46% e të rriturve në Shqipëri kanë një llogari bankare, sa gjysma e mesatares globale

Vetëm 46 për qind e të rriturve në Shqipëri kanë një llogari bankare, sipas të dhënave më të fundit të vitit 2024 nga Banka...

SHBA 9 miliardë më pak ndihma botës, miratohet paketa e shkurtimeve financiare

Mëngjesin e së premtes Dhoma e Përfaqësuesve miratoi përfundimisht kërkesën e presidentit, Donald Trump për t’i tërhequr rreth 9 miliardë dollarë nga fondet e...

Lajme të tjera

Web TV