Në kuadër të mega-procesit “Plumbi i Artë”, bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase ka dëshmuar këtë të martë për herë të parë para trupit gjykues.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Skerdi Tase ka dëshmuar për herë të parë në mega-procesin “Plumbi i Artë”, ku më herët kanë dhënë dëshminë edhe të penduarit Nuredin Dumani dhe Erion Alibej.
Tase u pyet nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, lidhur me atentatin e dështuar ndaj tregtarit të naftës, Aredin Behari, ngjarje e ndodhur në vitin 2017 në Fier.
Në dëshminë e tij, Tase ka rrëfyer si u njoh me Henkrik Hoxhajn dhe përpjekjet për realizimin e atentatit ndaj tregtarit të naftës.
“Me Henkrik Hoxhaj jam njohur nga një shok i përbashkët, ky shtetas Viron Tavanxhiu na foli për një atentat që do i bëhej një personi në Fier. Henriku kishte siguruar një makinë, armët dhe i ishin vënë në ndjekje këtij personi. Ditën e ekzekutimit Henriku më tha se porositësi e kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë pse po e vononi atë punë. I shkuam në lokal për ta qëlluar, por u fut poshtë tavolinës e më pas brenda në lokal, nuk u futa më tej se isha pa doreza.”- tha Tase.
Më tej, ai ka deklaruar para trupit gjykues se ishte kontaktuar sërish nga Tavanxhiu edhe për një tjetër atentat në Fier, ndaj shtetasit Agim Boriçi, ngjarje që sipas tij kishte nisur të përgatitej në vitin 2018.
“Vironi më ka kontaktuar edhe për të bërë vrasjen e Agim Boriçit po në qytetin e Fierit. U realizuan veprimet në vitin 2018. Me Henrikun takoheshim përditë për të bërë planet, Riku më tha se kishte marrë dhe një punë tjetër për Aredin Beharin.”
Procesi në SPAK vijon, ndërkohë që dëshmitë e të penduarve po ndihmojnë hetimet për zbardhjen e disa atentateve të bujshme dhe rrjeteve kriminale të përfshira./e.t