Qeveria ka nisur aksionin prej disa ditësh për sigurinë ushqimore, duke kërkuar fatura për të garantuar gjurmueshmërinë e produkteve bujqësore e blegtorale.
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një intervistë televizive tha se kjo nismë vjen për shkak të presionit që ka qeveria përballë Bashkimit Europian për hapjen e kapitullit për sigurinë ushqimore.
“Qeveria ndodhet në një presion të madh, sepse brenda këtij viti do të hapen 3 kapitujt e bujqësisë. Kapitulli 12 që është ai i siguirosë ushqimore në mënyrë taksative kërkon formalizimin e prodhimieve bujqësore, kështu që qeveria do ti përgjigjet patjetër me një kundërmasë. Mitrëpo çfarë ndodh? Besoj e keni ndjekur shprehjen e vullnetit të qeverisë nëpërmjet Kryeministrit që nuk do të tolerohet më asnjë mall ushqimor që prodhohet brenda vendit për t’u tregtuar pa faturë tatimore”.
Por sipas Panaritit, 90% e prodhuesve të vegjël do të përballen me vështirësi të madhe dhe mund të falimentojnë duke mos arritur të përmbushin standardet e kërkuara për sigurinë ushqimore. Kjo për shkak se kërkohen investime financiare.
“Mirëpo e shpallur kështu në mënyrë taksative dhe ultimative kur themi rreth 90% e prodhuesve shqiptarë që janë prodhues të vegjël e të mesëm, janë totalisht të papërgatitur për t’u futur në një marrëdhënie të tillë të fiskalizuar, sepse nuk janë të dukshëm në treg; nuk kanë as identifikim, nuk kanë as nipt që të jenë të përfshirë në nismën e formalizimit të bujqësisë, duke u përballur me një masë të tillë e cila është asgjësuese për ta. Unë e kuptoj qeverinë, se ndonjëherë është mirë për t’i thjeshtuar gjërat. Kur nuk e zgjidh Nyjen Gordiane, është mirë ta presësh atë. Dhe qeveria përgjithësisht, këto 10 vitet e fundit, këtë lloj mentaliteti ka pasur. Se sa arrin ta zgjidhë përfshirjen e prodhimit vendas, të prodhimit të vogël e të mesëm, më mirë i nxjerr jashtë tregut dhe lidhet me të mëdhenjtë e të fuqishmit që janë ata që janë sipërmarrës të formalizuar sepse ata i kanë pasur mundësitë për t’u pajisur dhe me nipt, për të qenë të dukshëm, edhe në kuptimin e gjurmueshmërisë, i kanë sistemet e avancuara të gjurmueshmërisë sepse janë të fuqishëm për të instaluar këto sisteme. Dhe me këto e kemi të garantuar që do të jemi të suksesshëm me negociatat me BE. Por nxjerr jashtë lojë rreth 90% të prodhuesve të vegjël të cilët ngaqë nuk e gjejnë veten në këtë lloj përmase të re të marrëdhënies së shtetit me prodhimin, do të falimentojnë. Dhe kjo reflektohet në uljen drastike të numrit të krerëve”, theksoi ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti./e.t