Kryezëdhënësi i Sali Berishës, Alfred Lela, në një shkrim për shembjet e fundit në Theth, i ka dhënë një konotacion fetar situatës, duke hequr një paralele edhe me komunizmin.
“Duke parë dhe gjykuar atë që po ndodh në Theth, por edhe tjetërkund në Shqipëri prej një jave të gjatë e torturuese, Edi Rama duket si personazhi ideal për të shpjeguar shprehjen popullore tiranase “nuk kam turp, nuk ke çfarë më bën!’. Në këtë kontekst, me një Kryeministër që nuk njeh ligjin, kodet, as turpin, duhen gjetur zgjidhje të tjera. Cilatdoqofshin ato!
Por, që të vijë zgjidhja, në fillim duhet të vijë fundi dhe, kam përshtypjen se jemi afër. Të paktën në terma historikë apo të ngjashmërive historike. Pyetja është: do ta pranojmë, a sfidojmë fundin?
I duhet hedhur një sy hartës elektorale të Shqipërisë në 2 zgjedhjet e fundit: të 11 majit 2025 dhe 25 prillit 2023.
Nëse në internet, në formën e memeve, kanë qarkulluar disa variacione që përziejnë humorin e hidhur me melankolinë politike, ku në veri të vendit hartën e popullojnë burra me veshje të traditës dhe me pushkë në dorë, dhe në jug dele, historia është më treguese.
Ndarja e Shqipërisë politike nuk është më as veri- jug dhe as qendër-periferi. Polarizimi i ngjan shumë periudhës 1945-1948, kur nacionalizmi dhe rezistenca ishin tërhequr dhe strehuar në enklavat kryesisht katolike të veriperëndimit. Po të shihni zgjedhjet e fundit lokale, rezultati i të cilave u ripërsërit edhe në parlamentaret, në Shqipëri u ri-krijua një Rrip i Biblës. Partia e djathtë Demokratike mori bashkitë me mbizotërim të elementit katolik në Mirditë, Pukë dhe Fushë-Arrëz. Në zgjedhjet e përgjithshme pati rezultate solide në të njëjtat territore, por edhe në Lezhë e Shkodër, gjithashtu zona me prani të fortë të krishterë.
Kjo ka qenë pak a shumë gjendja edhe në mes të viteve ’40 të shekullit të shkuar, kur në pushtet erdhën komunistët. Me jugun dhe qendrën (hiq një rezistencë të nostalgjikëve të Mbretit dhe Abaz Kupit në Mat dhe Krujë) të rënë shpejt në duar të komunistëve, veriu -kryesisht ai katolik- i bëri qëndresën më të qenësishme komunizmit. Rezistenca ishte e përgjakshme, por nuk zgjati shumë./kb