Një sipërmarrës ndërtimi nga Berlini me origjinë nga Serbia u dënua me pesë vjet heqje lirie për evazion fiskal me vlerë miliona dollarë. Në Serbi ai paraqitej si bamirës.
Si drejtor de facto i një kompanie ndërtimi, serbi i dënuar shkaktoi dëme prej gati 15 milionë eurosh përmes punës së paligjshme, tha kryetarja e trupit gjykues Christine Klimke gjatë leximit të vendimit në Gjykatën Rajonale të Berlinit të enjten, më 17 korrik.
53-vjeçari (emri i të cilit, madje as inicialet e tij, nuk përmenden në median gjermane) është mbështetur në punën e paligjshme që nga themelimi i kompanisë së ndërtimit.
Edhe pse kjo është e përhapur në industrinë e ndërtimit në Gjermani, nuk mund të thuhet se ai “e ka bërë këtë rastësisht”, tha Klimke.
Që në fillim, qëllimi i tij ishte të transferonte sa më shumë para të ishte e mundur në atdheun e tij, në Serbi dhe të paraqitej atje si barmirës, shpjegoi gjyqtarja, duke shtuar se kompania paguante pagat e punëtorëve në para të gatshme dhe nuk i raportonte ato tek autoritetet kompetente. m.p.