6 gusht 1890
Nga Leonard Veizi
Njeriu është qenie e vetëdijshme për vdekjen. Ai nuk e përjeton vdekjen vetëm në fund, por e mendon gjatë gjithë jetës si kufirin që i jep kuptim të tashmes. Nga ritualet e lashta te filozofia ekzistenciale moderne, njeriu ka kërkuar ta humanizojë vdekjen, ta nënshkruajë me simbolikë, ta mbështjellë me etikë. Por në kohën e revolucionit industrial, kjo marrëdhënie nisi të ndryshojë. Makina nisi të zëvendësojë njeriun – jo vetëm në punë, por edhe në aktin më të fundit dhe të pandryshueshëm: vdekjen…
…Më 6 gusht 1890, në burgun Auburn të shtetit të Nju-Jorkut, ndodhi një ngjarje që shënoi një kthesë dramatike jo vetëm në historinë penale, por edhe në mënyrën se si njeriu përfytyronte, përgatitej dhe i dorëzohej vdekjes: Uilliam Kemllër, i dënuar për vrasjen e të dashurës së tij me një sëpatë, u bë njeriu i parë në botë që u ekzekutua në karrigen elektrike.
Ngjarja ishte më shumë se një ekzekutim. Ajo ishte një eksperiment i dhunshëm moderniteti, një përpjekje e kohës për të zëvendësuar barbarinë e vjetër (ekzekutimi me varje) me diçka që premtonte efikasitet, racionalitet dhe – paradoksalisht – mëshirë.
Vdekja dhe teknologjia
Karrigia elektrike nuk ishte një shpikje e rastësishme. Ajo lindi në një kontekst të përplasjes së interesave shkencore, etike dhe industriale – mes Xhorxh Uestinghaus dhe Tomas Edisonit, që ndanë botën mes rrymës alternative dhe asaj direkte. Edison mbështeti përdorimin e rrymës së kundërshtarit të tij për ekzekutime, për të demonstruar rrezikshmërinë e saj – dhe kështu, trupi i njeriut u kthye në fushëbetejë propagandistike.
Dështimi i dhunshëm
Kur Kemllër u ul në karrigen elektrike, premtimi ishte që vdekja do të ishte e shpejtë, pa dhimbje, më e qytetëruar se varja. Por ajo që ndodhi ishte krejt tjetër:
Rryma e parë, e fortë, nuk e vrau menjëherë. Trupi i tij u përvëlua në sytë e dëshmitarëve, u përhap aroma e mishit të djegur, dhe njerëzit ulërinin të tronditur.
U desh një valë e dytë rryme për të përfunduar ekzekutimin – dhe vdekja, që duhej të ishte moderne dhe sterile, u shndërrua në një akte primitive të torturës me mjete teknologjike.
Pas ngjarjes, Uestinghaus u shpreh: “Do të kishte qenë më mirë sikur ta kishin varur.”
Simbolika filozofike
Ekzekutimi i Kemllërit është më shumë se një fakt historik – është shfaqja e njeriut modern që dorëzon veten te makina edhe për çështjen më të ndjeshme: kalimin nga jeta në vdekje.
Karrigia elektrike nuk ishte vetëm një mjet – ajo ishte shkallë drejt një etike të re të pushtetit, ku vdekja nuk është më një çështje personale, por një proces tërësisht i kontrolluar nga shteti dhe teknologjia. Është momenti kur trupi njerëzor zhvishet nga sakraliteti dhe trajtohet si objekt qarkullimi energjie – si llambë që fiket.
Trashëgimia e errët
Pas Kemlerit, mijëra të tjerë do të uleshin në të njëjtën karrige – dhe Amerika do të ndahej ndër vite mes kundërshtarëve të dënimit me vdekje dhe mbështetësve të ekzekutimeve “humane”. Por kjo ngjarje e vitit 1890 mbetet si çast themeltar i përpjekjes njerëzore për të kontrolluar jo vetëm jetën, por edhe vdekjen – përmes racionalitetit teknik dhe arrogancës shkencore.
Në fund, ajo që ndodhi në burgun Auburn nuk ishte vetëm një vrasje me leje të shtetit. Ishte një pasqyrë e frikshme e botës moderne, ku vdekja nuk ka më zë hyjnor, por tingëllon si shkëndijë elektrike që digjet në heshtje.