Last Updated on 07/05/2025 by adminfjala
Deri pasditen e djeshme në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 144.783 zarfa me votën e diasporës. Janë rreth 80 mijë zgjedhës të cilët edhe pse kanë tërhequr flatën e votimit, nuk e kanë dërguar në postë. Problemet më të mëdha si me tërheqjen e zarfave ashtu edhe mosdorëzimin në kohë janë shfaqur me votuesit në Greqi.
Pas miratimit të Kodit të Ri Zgjedhor, për herë të parë iu dha mundësia qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votës. Përmes platformës online të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u regjistruan 245,935 shtetas shqiptarë nga e gjithë bota. Më 14 prill, KQZ nisi dërgimin e zarfeve me fletët e votimit nëpërmjet postës DHL, të ndara sipas qarqeve zgjedhore. Janë shpërndarë gjithsej 245,939 zarfa, por vetëm 224,658 janë marrë nga votuesit, ndërsa rreth 21 mijë nuk janë tërhequr apo janë refuzuar. Ku më shumë se gjysma i përket Greqisë që nuk janë shpërndarë. Nga zarfat e tërhequr, 144,783 kanë mbërritur pranë zyrave të KQZ-së. Kjo do të thotë se afërsisht 80 mijë persona që kanë marrë fletën, nuk e kanë kthyer ende atë, duke e lënë për momentin e fundit të dorëzimit, ose duke refuzuar të votojnë. Gjithsesi afati I mbërritjes së zarfeve tashmë ngushtohet shumë. Kodi zgjedhor e parashikon se çdo votë që mbërrin nga jashtë vendit pas orës 19.00 të datës 11 maj nuk vlen. Një pjesë e madhe e zarfave të padorëzuara i përket shtetit grek, ku nga 68 mijë të regjistruar, vetëm 23 mijë kanë votuar deri tani. KQZ ka njoftuar se afati për tërheqjen dhe dorëzimin e fletëve të votimit në ishujt grekë është pasditja e së martës, ndërsa për qytetet e tjera përfundon më 8 maj. Sipas të dhënave të fundit, për dy ditë rresht nuk është regjistruar asnjë dorëzim i ri, pasi asnjë avion që ka mbërritur në Shqipëri nuk ka sjellë vota nga diaspora. Mbeten vetëm më pak se 48 orë për të përmbyllur procesin e votimit nga jashtë.
Diaspora nuk mund të votojë në Shqipëri
KQZ ka sqaruar se të gjithë qytetarët që janë regjistruar si votues nga diaspora nuk mund të paraqiten fizikisht në Shqipëri për të votuar. Emri i tyre është hequr nga lista e zgjedhësve brenda vendit dhe do të figurojë vetëm në sistemin për votuesit jashtë. Ky mesazh është drejtuar kryesisht për shqiptarët që jetojnë në Greqi, të cilët, për shkak të afërsisë, mund të mendojnë gabimisht se mund të vijnë në Shqipëri për të votuar, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën. Në të kundërt, ata që nuk janë regjistruar online ose janë refuzuar nga KQZ, mund të votojnë në vendbanimet e tyre në Shqipëri, pasi emri i tyre është në listën e zgjedhësve brenda vendit.
Reagimi i Celibashit
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e shpjegon rënien e ritmit të dorëzimit të votave me kufizimet e orarit të postës gjatë fundjavës, si dhe me problemet e shumta në adresat e pasakta, mungesën e kontaktit ose numrave të pavlefshëm. “Dje janë grumbulluar vetëm katër vota. Zarfe që nuk janë dorëzuar, ndodhen ende në zyrat e DHL-së për shkak të mungesës së informacionit të saktë për kontaktin e votuesit. Ne i kemi bërë thirrje të interesohen vetë pranë zyrave përkatëse”, u shpreh Celibashi. Ai thekson se procesi nuk duhet paragjykuar para kohe, sidomos në raport me Greqinë. “Ka ende kohë. Unë besoj se mund të kalojë shifrën e 200 mijë votave nga diaspora”, u shpreh ai, duke përmendur se afati për të mbërritur zarfat në Shqipëri është ora 19:00 e datës 11 maj.
PD kërkon shtyrje afati për ID-të e skaduara
Ndërkohë që mbeten vetëm pesë ditë nga dita e votimit, Partia Demokratike ka kërkuar shtyrjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit për efekt votimi. Sipas saj, janë rreth 466 mijë qytetarë që nuk mund të ushtrojnë të drejtën e votës për shkak të dokumenteve të skaduara. “I kërkojmë qeverisë të miratojë menjëherë një akt normativ për zgjatjen e afatit të dokumenteve të identitetit për qëllime zgjedhore. I bëjmë thirrje edhe KQZ-së të ndërhyjë me forcë për këtë çështje”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Shpërndahen materialet
zgjedhore në Vlorë dhe Korçë
Në KZAZ nr. 84, e vendosur pranë palestrës së shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, kanë mbërritur tashmë pajisjet për procesin e numërimit, por edhe për vëzhguesit. Ndërsa në vijim pritet edhe mbërritja e kutive të votimit, të cilat më pas, gjatë së shtunës, do të shpërndahen në të gjitha qendrat e votimit. Ervin Shakaj, kryetar i KZAZ nr. 84, ka konfirmuar se janë 68 qendra votimi në këtë KZAZ, që përfshijnë të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Vlorë. Përveç mbërritjes së materialeve zgjedhore, janë inspektuar të gjitha qendrat e votimit, si dhe është bërë përcaktimi i komisionerëve. Bashkia Vlorë ka katër KZAZ: numrat 84, 85, 86 dhe 87, të vendosura pranë palestrës së shkollës “Ismail Qemali”, palestrës së gjimnazit “Ali Demi” dhe në Pallatin e Sportit në Vlorë. Po këtë të martë ka nisur këtë të martë shpërndarja e materialeve zgjedhore në 7 KZAZ-të e qarkut të Korçës, përkatësisht për 422 qendra votimi. Komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve po administrojnë kutitë e votimit së bashku me fletët e votimit, vulat, kamerat e qendrave te votimit dhe pajisjet PEI. Shpërndarja e tyre në qendrat e votimit pritet të kryhet ditën e shtunë një ditë para zgjedhjeve parlamentare. “Sapo kanë mbërritur materialet zgjedhore në KZAZ 70, Bashkia Pogradec. KZAZ-ja është e plotësuar me anëtarë, pritet të evidentohen 106 qendrat e votimit dhe të shtunën, sipas ligjit, do të nisë shpërndarja e materialeve. Janë ngritur komisioneret e qendrave të votimit, të cilët do të paraqiten për të marrë materialet e votimit ditën e shtunë.”, thotë kryetari i KZAZ 70 në bashkinë Pogradec, Mondi Mekolli.