Policia e Shtetit jep detaje të reja mbi provat e siguruara, pas goditjes së një rasti të organizuar korrupsioni, përmes falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.
Janë ekzekutuar 14 masa sigurimi të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Sekuestrohen shuma parash, certifikata e libreza të falsifikuara.
Operacioni u finalizua pas një pune intensive hetimore 4-mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Librezat”. Pas ndalimit është caktuar masë sigurimi ndaj 14 personave nën hetim, konkretisht:
“Arrest në burg“ ndaj 2 shtetasve: N.N., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;
H.L., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Instituti i Higjenës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;
“Arrest në shtëpi” ndaj 9 shtetasve: E. M., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Instituti i Higjienës Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” më shumë se njëherë, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
I.H., 67 vjeç, banues në Tiranë, ish-mjek tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë, për veprën penale “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; D., 65 vjeç, banues në Tiranë, ish-mjek te Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer më shumë se njëherë dhe në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;
F.D, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 6 Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;
O.B., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, J. S., 29 vjeçe, banuese në Tiranë dhe A. M., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
A. Gj., 57 vjeç, banues në Tiranë dhe E. B., 30 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjekë tek Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
Masën “Pezullim të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” ndaj 3 shtetaseve:
L.M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 6 Tiranë, D. H., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 1 Tiranë dhe M. S., 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë mjeke tek Poliklinika Shëndetësore Nr. 4 Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”;
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se personat nën hetim janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varionin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjeno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 1.500.000 lekë të reja dhe 2500 euro të gjetura në banesën e personit nën hetim N. N.; 35 libreza shëndetësore të gjetura në disa subjekte tregtare private në qytetin e Tiranës; certifikata dezinfektimi dhe dokumente të ndryshme mjekësore që janë lëshuar në mënyrë fiktive nga punonjësit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Higjienës Tiranë; 14 aparate celulari të markave të ndryshme dhe një pajisje elektronike tablet.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme./Bl.Ba/Fjala.al