Japonezi ishte më i shpejti në provat zyrtare, niset nga vendi i parë të dielën. Gara e 11-të e këtij sezoni të Moto GP-së dhe e dyta radhazi në pistën e Aragonit në Spanjë ka dhuruar një të papritur në provat zyrtare, teksa do të jetë Takaaki Nakagami ai që do të niset nga vendi i parë të dielën. Piloti japonez arrin kështu, pas plot 45 garash në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, të sigurojë, për herë të parë nisjen nga vendi i parë.
Do të jetë Takaaki Nakagami ai që do të niset nga vendi in parë në garën e së dielës në Moto GP, në atë që është gara e 11-të e këtij sezoni dhe e dyta radhazi në pistën e Aragonit në Spanjë. Në fakt, ka qenë një fundjavë mbresëlënëse për pilotin japonez të skuadrës kliente të “Honda”-s, “LCR”, i cili arrin kështu, pas plot 45 garash në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP, të sigurojë, për herë të parë nisjen nga vendi i parë.
Pasi kishte vendosur më herët kohën më të shpejtë, 28-vjeçari vijoi të bënte një xhiro të fundit mbresëlënëse, duke e ulur edhe më tepër kohën e tij dhe duke ndalur kronometrin në finish në 1 minutë, 46 sekonda e 882 të mijëtat. Vetëm 63 të mijëtat pas tij ka mbërritur në finish piloti i skuadrës kliente të “Jamaha”-s, “Petronas”-it, Franko Morbideli, ndërsa vijën e parë të nisjes do ta plotësoi piloti i “Suzuki”-it, Aleks Rins, i cili ishte 273 të mijtat e sekondës më i ngadaltë sesi piloti japonez.
Ndërkaq, pjesa tjetër e pilotëve ishin mjaft më të ngadaltë, teksa piloti i vetëm i “Jamaha”-s zyrtare, Maverik Vinjales, i cili do të niset nga vendi i 4-t, ishte afro 1 sekondë e gjysmë më i ngadaltë. Siç dihet, kolegu i tij tek “Jamaha” zyrtare, Valentino Rosi, mungon në garën e dytë në pistën e Aragonit, për shkak të infektimit me Covid-19. Sa i përket radhës së dytë të nisjes, atë e plotësojnë dy francezët Johan Zarko dhe Fabio Kuartararo.
Ndërsa në radhën e 3-të do të rreshtohen Kal Kraçlou, Migel Oliviera dhe Pol Espargaro, ndërsa vetëm vendi i 12-të i nisjes për kryesuesin e renditjes së përgjithshme të pilotëve, Joan Mir.