Last Updated on 05/05/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Jemi në 5 maj.
5 Maji në Shqipëri është një dita e shënuar. Sepse pëkërisht në këtë ditë nderohen dëshmorët e atdheut – që në retorikën e përditshme thuhet se: janë ata që dhanë jetën për lirinë, për kombin, për një ideal më të madh se vetja – për lirinë, për çlirimin, për një të ardhme, që shpeshherë nuk mundën ta shohin të realizuar.
Për këtë lloj retorike nuk kam se ç’them më.
Gjithsesi, me retorikë të përditshme apo të një datë në vit, 5 maji është një nga ato ditë që mbart peshën e një historie të përgjakshme, por edhe të shenjtë. Është një ditë solemne, e mbushur me kujtime, fjalime të burrave të shtetit, kurora lulesh, vizita në Varrezat e Dëshmorëve dhe përmendore me emra të gdhendur mbi gur. Ajo kujton ata që dhanë jetën për një ideal që në fakt nuk e arritën dot. Që do të thotë se dëshmorët e atdheut, si dje dhe sot, vazhdojnë të mbeten pjesë e idealizmit.
Por ndërsa vargjet solemne recitohen dhe kurorat vendosen mbi mermerin e ftohtë të varreve, një heshtje e rëndë qëndron pezull bashkë me pyetjen shumë dyshuese: a mos ndoshta është luajtur shumë me gjakun e tyre?
Gjithsesi kjo mbetet pyetje që dhe mund të mos marrë përgjigje, sepse me ca simbole është bvështirë të luash. Dhe ndoshta për hir të kësaj – edhe abuzimi i ngritur në pyetje – bëhet më i madh.
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe më pas në tranzicionin demokratik, figura e dëshmorit u përdor – jo vetëm për të frymëzuar, por edhe për të ndërtuar legjitimitetin e pushtetit. Ata që erdhën në krye të shtetit me flamurin e luftës, i kthyen dëshmorët në një pasuri politike duke i përdorur edhe si mburojë.
O po mjerë kush ikën, thuaj. Se ikën shpejt e nuk e gëzon dot jetën e tij. Sepse sa për ata që mbeten pas, do ta shkruajnë me të mëdha në biografi: Familje Dëshmori.
Familjet e dëshmorëve përfituan jo vetëm respekt – që pa dyshim u takonte – por edhe favore, privilegje, poste dhe status të privilegjuar në një shoqëri të ngujuar mes heroizmit të së kaluarës dhe kaosit të së tashmes.
Në të dy llojet e regjimeve Diktaturë e Proletariatij dhe Ekonimi e Tregut, flitej për një punë të mira, poste në administratë, ndonjë të drejtë studimi jashtë radhe, privilegje të heshtura, dhe mbi të gjitha, një moral të pakontestueshëm që mbështetej në një fjali të vetme: “Jemi familje dëshmori. Kemi dhënë gjakun për këtë vend.”
Që të mos ngatërrohemiL gjak nuk është dhënë vetëm në Luftën e Dytë Dotërore. Gjak dëshmorësh është dhenë dhe në ditët e paqes e për mbrojtjen e paqes.
Por ai që ra për atdhe, nuk mori asgjë. Ai mbeti me një pllakë betoni ku janë gdhendur tri gjëra: një emër, një datëlindje dhe një datë vdekjeje. Dhe kaq. Ai nuk kërkoi lavdi, as shpërblim, as politikë. Ai dha gjithçka, dhe në këmbim kërkoi vetëm që emri i tij të mos përdhoset. Por historia shqiptare e pasluftës, shpesh e ka përdorur dëshmorin si një mall që vlen vetëm për sa kohë shërben.
Në vend që kujtimi për dëshmorët të jetë një frymëzim për ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë, më të lirë, më të ndershme – ai shpeshherë është deformuar në një kartë krediti morale që përdoret sipas nevojës. Disa janë ngjitur në majat e pushtetit në emër të atyre që ranë, ndërsa të tjerë janë fshehur pas statusit të “familjes së dëshmorit” për të shmangur përgjegjësinë morale dhe për të përfituar aty ku të tjerët nuk mundin.
Ky nuk është faji i dëshmorëve – por faji ynë, si shoqëri, që kemi lejuar që sakrifica më e madhe të banalizohet, të kthehet në instrument përfitimi, në flamur boshti që valëvitet sipas erës së politikës.
Hajd se kemi dhe zgjedhjet përpara.
5 Maji nuk është ditë për fjalime bosh. Është ditë për të parë të vërtetën në sy: dëshmorët nuk janë medalje që varen në qafë, as trampolina për karrierë. Ata janë zëri që na kujton se kombi ndërtohet mbi sakrificë të pastër – jo mbi përfitimin.
5 Maji duhet të jetë më shumë sesa një ditë kur vendosen lule. Madje lule të këputura nga lulishtet e qytetit ose në ndonjë bahçe ku vlejnë akoma, se nuk ia vlen as ta blesh një tufë me karafila, se kush e di sa të vjen fatura. 5 Maji duhet të jetë një ditë reflektimi. Ditë kur na duhet të pyesim veten: Çfarë kemi bërë me gjakun që u derdh? A kemi ndërtuar një vend që i ngjan ëndrrës së atyre që ranë? Apo kemi ngritur mbi ta një teatër gjigant ku të gjallët përfitojnë dhe të vdekurit heshtin?
Sepse e vetmja gjë që i mbetet dëshmorit është një pllakë krejt e thjeshtë betoni a një pllakë mermeri në rastin më të mirë, ku mungon dhe shprehja legjitime: Rrënë për Atdhe. Dhe një heshtje që, nëse do fliste, ndoshta do thërriste me nota patetike: “Mos luani me gjakun tonë.”