Juristja dhe aktivistja e njohur Edlira Çepani ka folur lidhur me protestën e organizuar nga studentët në Maqedoninë e Veriut për gjuhën shqipe. Ajo ka theksuar se Tirana zyrtare duhet të reagonte më tepër, sepse ky nuk është i vetmi problem me të cilin përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Ka një fenomen shumë fatkeq, do të thosha, dhe nuk e di pse ndodh, që për shqiptarët e Maqedonisë reagimet janë shumë të pakta. Jo vetëm në këtë rast, por ka shumë pak iniciativa, qoftë për bursa për të rinjtë që mund të studiojnë në Shqipëri, qoftë për mbrojtjen e gjuhës, qoftë për literaturën shqipe. Madje një vajzë e re është detyruar të krijojë vetë një bibliotekë me libra shqip në Manastir, ndërkohë që kjo duhet të ishte punë e institucioneve dhe e diplomacisë në nivelet më të larta. Kjo është një çështje e drejtë, një e drejtë kushtetuese dhe një e drejtë që nuk mund të mohohet. Veçanërisht në vitin 2026, kur të gjitha shtetet tona flasin për integrimin në Bashkimin Europian, nuk mund të kthehemi dekada mbrapa dhe të krijojmë të njëjtat problematika etnike e konfliktuale që nuk i bëjnë nder askujt dhe na ngadalësojnë të gjithëve në procesin e integrimit.”- tha Edlira Çepani.
Çepani gjithashtu përgëzoi ambasadorin Mejdani për angazhimin e tij, duke e cilësuar si minimumin që mund të bëjë një ambasador shqiptar. Ajo kujtoi se edhe vetë është bijë e një diplomati edhe e di fare mirë se përgjegjësia e një diplomati është të mbrojë interesat e qytetarevë në një vend tjetër.
“Ajo që bëri ambasadori Mejdani është minimumi që mund të bëjë një ambasador shqiptar. Unë jam bijë e një diplomati i cili ka shkuar në mes të natës, pa orar e pa ditë, atje ku ishin shqiptarët dhe ku kishin nevojë. Për mua diplomacia kjo është, sepse diplomacia në fund të ditës bëhet për të mbrojtur interesat e kombësisë tënde, aty ku ajo ndodhet.“-shtoi ajo./ET
