Last Updated on 04/05/2025 by adminfjala
Bill Gates është prej kohësh një emër i njohur, jo vetëm për revolucionin që solli në teknologji, por edhe për dekada me radhë si një nga individët më të pasur në botë. Bashkëthemeluesi i Microsoft-it ndryshoi mënyrën se si ndërveprojmë me kompjuterët, duke vendosur themelet e zhvillimit modern të softuerëve.
Që nga lançimi i MS-DOS në vitin 1980, deri te suksesi i Microsoft Office dhe Windows 95, Gates ndërtoi një pasuri që dikur e shpalli njeriun më të pasur në botë. Në vitin 1999, pasuria e tij arriti në 100 miliardë dollarë.
Ai mbajti titullin e njeriut më të pasur në botë për më shumë se një dekadë dhe e riktheu disa herë, deri kur Jeff Bezos i Amazon e kaloi atë në vitin 2018.
Edhe pse u largua nga bordi i Microsoft në vitin 2020 dhe aktualisht zotëron më pak se 1% të kompanisë, Gates mbetet një figurë e fuqishme financiare falë investimeve strategjike përmes firmës së tij private, Cascade Investments. “Portofoli” i tij përfshin aksione në gjigantë globalë si Berkshire Hathaway, Coca-Cola dhe Canadian National Railway, ndër të tjera.
Sot, në vitin 2025, Gates renditet si njeriu i 13-të më i pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar në rreth 108.7 miliardë dollarë. Pavarësisht donacioneve të mëdha filantropike, përfshirë mbi 59 miliardë dollarë të dhuruara për Fondacionin Gates, pasuria e tij vazhdon ta mbajë ndër elitën globale. Një pjesë e madhe e donacioneve të tij të hershme ishin në formë aksionesh të Microsoft-it, dhe ai vazhdon të japë bujarisht, përfshirë një donacion prej 20 miliardë dollarësh në vitin 2022.
Gates gjithashtu tërheq vëmendje për stilin e tij të jetesës. Rezidenca e tij kryesore, e famshmja “Xanadu 2.0” në shtetin e Uashingtonit, është një mrekulli teknologjike luksoze, duke përfshirë një pishinë gjigante, kalime të fshehta dhe disa kuzhina. Ai zotëron disa prona të tjera, përfshirë një kompleks të madh në Florida me kuaj dhe një ishull privat në Belize.
Megjithëse nuk është i njohur për shfaqje ekstravagante, Gates ka një shije të hollë për luksin, koleksioni i tij i makinave përfshin disa Porsche, madje edhe një Ferrari, dhe përflitet se zotëron të paktën një avion privat. Ai është gjithashtu një entuziast i artit, me vepra nga mjeshtra amerikanë dhe madje edhe një fletore origjinale e Leonardo da Vinci-t që kushton mbi 30 milionë dollarë. m.p.