Last Updated on 12/05/2025 by adminfjala
Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal ndaj dy personave për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”.
Sipas asaj që bën me dije prokuroria, në bazë të hetimeve të kryera është krijuar dyshimi se personi shtetasi me inciale P.B., është takuar në banesën e tij me shtetasin V.L., dhe i ka kërkuar mbështetje në këmbim të parave për vajzën e tij, e cila është kandidate e subjektit politik PSD.
Ndërkohë bëhet me dije se ditën e sotme është ndaluar shtetasi P.B., i cili akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të kryera nga ky person. Ndërkohë, ka nisur hetimi në gjendje të lirë për shtetasin V.L., i cili ka konsumuar elementë korrupsioni pasiv.
63-vjeçari i arrestuar, Pandeli Bozha, është babai i kandidates së PSD në qarkun e Fierit, Limonera Bozha.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 08.05.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.60/2025 për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.
Procedimi është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ndërsa hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive të hetimit.
Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00, shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025.
Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej.
Gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartmonedhë.
Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L.
Hetimet vijojnë për të verifikuar raste të tjera të shitblerjes së votës nga shtetasi, P.B.
Prokuroria e Posaçme falenderon Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në kryerjen e hetimeve lidhur me këtë procedim penal./e.s