Last Updated on 10/05/2025 by adminfjala
Drejtuesi politik për Partinë Demokratike në qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu ka bërë një tjetër denoncim në rrjete sociale lidhur me shitblerjen e votave nga simpatizantët dhe anëtarët e Partisë Socialiste.
Shoqëruar me disa video nga ngjarja, Mziu shkruan se punonjësi i Policisë Bashkiake në Bulqizë, Ndriçim Sula, është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës në fshatin Radovesh në Gollobordë, Dibër së bashku me grupe kriminale.
Ndër të tjera referuar dhe pamjeve, demokrati është shprehur se dy qytetarët të cilët ishin vënë në ndjekje të tij, janë dhunuar nga vetë punonjësi bashkiak së bashku me mbështetës të rilindjes.
“Rilindja në terren me administratën dhe grupet kriminale duke shpernda para në këmbim të votës! Ndricim Sula, punonjës i Policisë Bashkiake në Bulqizë, duke shpërndarë para në këmbim të votës në fshatin Radovesh në Gollobordë Dibër! Janë dhunuar dy qytetarë që po i ndiqnin, nga punonjësi i policisë bashkiake dhe mbështetës të rilindjes së krimit.
Kjo është skenë krimi. Ky është krim elektoral. Ky është krim zgjedhor. Kjo është skemë e organizuar me regji e krimit zgjedhor në qarkun Dibër! Policia e shtetit, sistemi i drejtësisë, #SPAK duhet të reagojnë, nuk mundet që bandat e krimit të përcaktojnë votën e qytetarëve.
Qytetarët më 11 maj do të votojnë të lrë dhe me zemër, i ftoj për pjesmarrje masive”, thuhet në postimin e Xhelal Mziut. m.p.