Last Updated on 10/05/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Giro d’Italia, krenaria italiane mbi dy rrota, zbriti edhe në Shqipëri.
Katër ditë – jo shaka!
Tirana nuk është më e jona. Është e pedaluesve italianë. Rreth 200 çiklistë kalojnë si era dhe nuk dinë ku ndodhen, por vijnë si yje të kinemasë, ndërsa ne – figurantët e zakonshëm – ngelim të bllokuar në rrëmujën e përditshme që ka marrë superforcë.
Çështë e vërteta në edicionin e 108-të të Giro d’Italia 2025, marrin pjesë 23 ekipe, secili me nga 8 çiklistë, duke sjellë një total prej 184 çiklistësh në garë. Kjo përbërje përfshin të gjitha 18 ekipet e UCI WorldTour, të cilat janë automatikisht të ftuara, si dhe pesë ekipe UCI ProTeams, të përzgjedhura nga organizatorët RCS Sport.
Për herë të parë në histori, një pjesë e garës prestigjioze Giro d’Italia pedalon në rrugët e atdheut tonë. Eufori, krenari kombëtare, flamuj gjithfarësh dhe kamera që transmetojnë drejtpërdrejt në ekranet europiane.
Mirë se vini në Shqipëri, ku garat ndërkombëtare bëhen me krenari dhe entuziazëm, por qytetari i zakonshëm harrohet në trafik! Prej 9 deri më 11 maj, Durrësi, Elbasani, Tirana dhe Vlora do të shijojnë kalimin e një peletoni elitash sportive, ndërsa banorët e këtyre qyteteve do të presin në semaforë që nuk funksionojnë, do të ecin në këmbë për të shkuar në punë, apo do të mbeten të izoluar nga bllokimi total i akseve rrugore.
“Festë të madhe o ka sot Shqipëria!”
Por nën këtë petk festiv, qytetarët e Tiranës po përjetojnë një realitet krejt tjetër: kaos, nerva dhe boritë që nuk pushojnë.
Askush nuk thotë se “Giro d’Italia” nuk është një event i rëndësishëm për promovimin e vendit, por a është e drejtë që organizimi të bëhet në dëm të jetës së përditshme të qytetarëve? Ku janë rrugët alternative? Ku është transporti publik shtesë?
Për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës kanë ndërmarrë një aksion bllokues që s’ka të krahasuar. Shumica e rrugëve kryesore janë mbyllur për ditë të tëra, duke e kthyer qytetin në një labirint të pakalueshëm, ku Google Maps heq dorë e njeriu dorëzohet.
Por fajësia për kaosin në trafik në raste të tilla është zakonisht një çështje komplekse, që nuk i takon vetëm një institucioni.
Rrugët janë të çiklistëve. Qytetarët? Le të bëjnë maratonën e tyre, duke ecur zbathur në trotuare të ndotura, me qeset në dorë dhe zemrën që është gati të dalë vendit.
“Nuk është më qytet, është ferr” – shprehet një shofer i bllokuar prej orësh në zonën e Unazës së Re.
Boritë nuk ndalen, nervat janë në kufi, ndërsa qytetarët enden si të hutuar në kërkim të një rruge alternative. Fëmijët vonohen në shkollë, urgjencat vërtiten për t’u ngjitur shkallëve, dhe askush nuk kupton më çfarë po festojmë.
Në vend të biçikletave, kemi qindra makina të mbërthyera, të cilat qëndrojnë pa lëvizur, si të hipnotizuara nga bllokimi total urban.
Luftë nervash.
Po më shumë sharje e shfrim inati.
Kur spektakli bëhet për llogari të të huajve dhe në kurriz të vendasve, nuk kemi arritur ende të kuptojmë as rregullat e garës, as të shtetit.
Dhe në këtë realitet absurd, shfaqen heronjtë tanë të përkohshëm: çiklistët italianë.
Elegantë, të veshur me uniforma profesionale, kalojnë për disa sekonda në mes të histerisë rrugore dhe zhduken, ndërsa qyteti mbetet të hajë pluhur dhe zhurmë.
Tirana nuk është më qytet. Është një stendë reklamash për pedalistë.
Kryeqyteti, për katër ditë, nuk ka semaforë, nuk ka rrugë alternative, nuk ka mëshirë. Ka vetëm bori, bllokim dhe psherëtimë kolektive.
“Na bëftë mirë”
Kalon një çiklist, dhe mbrapa tij lë mijëra qytetarë të kruspullosur në trafik: fëmijë që humbasin mësimin, pleq që nuk mbërrijnë dot te mjeku dhe qytetarë që mallkojnë të gjitha sportet me zë të lartë.
Epo, na rrofshin çiklistët italianë – i vetmi ngushëllim estetik në një qytet që, për katër ditë, nuk është i qytetarëve, por i kamerave dhe marketingut politik.
“Hë mo se një rast është”
Të paktën, çiklistët italianë janë të vetmit që kalojnë rrugën pa u bllokuar. Ne të tjerët jemi ende në kthesën e parë, duke kërkuar rrugëdaljen.
Shpresojmë që, pasi të ikin pedaluesit, të rikthehet qetësia relative apo rrëmuja e zakonshme e ditëve tona dhe e rrugës që na çon për në shtëpi.
Deri atëherë, mirë se vini në Tiranë, kryeqyteti shqiptar që u kthye në pistë – pa menduar për këmbësorët, për fëmijët, për të sëmurët, e për qytetarët e zakonshëm.
Gjithsesi shpresojmë se kjo ngjarje e madhe sportive, – e me koston e zakonshme për qytetarët shqiptarë, – pritet të sjellë vëmendje ndërkombëtare dhe një atmosferë festive në rrugët shqiptare.
Të shpresojmë që çdo gjë e mirë të na vijë për mirë. Se me të keqen jemi deri në fyt.