Last Updated on 06/05/2025 by adminfjala
Këtë të martë (6 maj) në orën 21:00 në ‘San Siro’ Interi dhe Barcelona përballen në aktin e dytë gjysmëfinal të Champions League. Gjashtë ditë më parë sfida mes tyre u mbyll 3-3 dhe përballja e sotme premton spektakël. Ndërkohë që Inzaghi merr një lajm të mirë te zikaltërit, me Lautaro Martinez që është bashkuar me grupin edhe pse gjendja e tij nuk është më e mira e mundshme pas dëmtimit në sfidën e kaluar. Ndërkohë që edhe te Barcelona Robert Lewandowski ka lënë pas dëmtimin dhe do e fillojë ndeshjen nga stoli.
PRAGNDESHJA
Të dy trajnerët me siguri do ta kishin ndërruar spektaklin me një rezultat më të favorshëm, duket se ky rezultat i ka shërbyer më shumë Interit, që tani ka avantazhin e fushës në ndeshjen e kthimit në “San Siro”, aty ku zikaltrit janë të pamposhtur prej 16 ndeshjesh radhazi në Champions (13 fitore, 3 barazime).
Edhe përballjet në shtëpi ndaj skuadrave spanjolle i kanë shkuar mirë Interit ndër vite (12 fitore, 10 barazime, 4 humbje), ndërsa bilanci ndaj Barcelonës në “San Siro” është mjaft i respektueshëm: 2 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje. Sidoqoftë, forma e fundit e skuadrës nuk është më e mira (1 fitore, 2 barazime, 3 humbje), por fitorja minimale 1-0 ndaj Veronës në fundjavë i ka dhënë frymëmarrje dhe shpresë për titullin në Serie A.
Barcelona është në ndjekje të një sezoni historik, me një sukses të katërfishtë të mundshëm, pasi tashmë ka fituar Superkupën dhe Kupën e Mbretit. Në La Liga, ndjekja e titullit vazhdon dhe fundjava i gjeti duke përmbysur një ndeshje të vështirë kundër Real Valladolid (2-1), ndonëse kundërshtari kishte rënë nga kategoria.
Forma e tyre jashtë fushe në këtë edicion është inkurajuese: 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit në Champions (1 humbje), si dhe 3 fitore në 6 vizitat e fundit në Itali (2 barazime, 1 humbje). Duke parë që 15 nga 16 ndeshjet e fundit të Barcelonës në Champions kanë përfunduar me mbi 2.5 gola, spektakli në këtë përballje është pothuajse i garantuar.
Ndeshja do gjykohet nga polaku polak Szymon Marciniak. Sot një nga dy skuadrat do kërkojë të “rrëmbejë” një nga biletat e finales që luhet më 31 maj në Munich.
Formacionet e mundshme:
Inter (3-5-2): Sommer (GK); Bisseck, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Calhanoglu, Mkhitaryan, Barella, Dimarco; Martinez Lautaro, Thuram
Barcelona (4-2-3-1): Szczesny (GK); Garcia, Araujo, Cubarsi, Martinez; Pedri, De Jong; Lamine Yamal, Olmo, Raphinha; Ferran. m.p.