Last Updated on 19/09/2025 by adminfjala
19 shtator 1985 – vdekja e shkrimtarit
Nga Leonard Veizi
Në mëngjesin e 19 shtatorit 1985, Siena u zgjua më e boshatisur se zakonisht. Një zë i heshtur i letërsisë italiane ishte shuar: Italo Kalvino, në moshën 61-vjeçare, kishte lënë pas një botë të tërë qytetesh që askush nuk i kishte parë, por që të gjithë i ndienin në shpirt. Nuk ishte thjesht vdekja e një shkrimtari; ishte humbja e një udhërrëfyesi, një ylli që dinte të hidhte dritë mbi labirintet e mendjes dhe të imagjinatës…
…I lindur në Kubë në vitin 1923, Kalvino u rrit në Itali. Përvoja e rinisë së tij përkoi me periudhën e errët të fashizmit dhe të Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës ai u angazhua në lëvizjen partizane antifashiste. Kjo përvojë e hidhur i ktheu fjalët e tij në mjete për të ndërtuar jo thjesht romane, por universa. Romani i tij i parë botuar në vitin 1947, “Il sentiero dei nidi di ragno” apo siç vjen në shqip “Shtegu i foleve të merimangës”, solli një perspektivë të re mbi luftën partizane, përmes syve të një fëmije, duke i dhënë dramës historike një gjuhë të thjeshtë e poetike.
Në dekadat që pasuan, Kalvino u bë mjeshtër i transformimit të realitetit në metaforë, duke luajtur mes realizmit, fabulës dhe imagjinatës filozofike. Ai krijoi universet e tij të veçanta: qytetet e pamundura të “Le città invisibili” apo “Qytetet e padukshme” botuar në vitin 1972, reflektimet mbi fatin e njeriut te “Kështjella e kryqëzuar e fatit” apo siç njihet në orgjinal: “Il castello dei destini incrociati” botuar në vitin 1973, apo eksperimentin narrativ të pakrahasueshëm te “Se una notte d’inverno un viaggiatore” botuar në vitin 1979 dhe që në shqip vjen si: “Nëse një natë dimri një udhëtar”. Përmes tyre, ai i mësoi lexuesit se gjuha mund të bëhet udhëtim, mendimi peizazh dhe fjalët ura drejt vendeve që ekzistojnë vetëm në imagjinatë.
Kalvino ishte gjithashtu një vëzhgues i mprehtë i modernitetit, duke kombinuar një stil të kthjellët me një thellësi filozofike që i jepte veprave të tij një dimension universal. Me vdekjen e tij, letërsia europiane humbi një nga zërat më origjinalë, ndërsa lexuesit trashëguan një univers të pasur librash që vazhdojnë të frymëzojnë breza.
Italo Kalvino nuk jeton më mes njerëzve, por çdo faqe që ai shkroi është një qytet i padukshëm që vazhdon të rrojë, të ftojë dhe të habisë, duke e bërë çdo lexues pjesë të një udhëtimi të pafund drejt imagjinatës. Ai mbetet një udhërrëfyes i madh dhe një nga emrat më të ndritur të prozës bashkëkohore.
