Last Updated on 10/05/2025 by adminfjala
Partitë e reja kanë bërë një gabim taktik për zgjedhjet e 11 majit: janë treguar egoiste. Ato nuk u bashkuan në një subjekt të përbashkët, për shembull me emrin “Të rinjtë”, duke formuar një koalicion të gjerë me fytyra të reja.
“Shqipëria Bëhet”, “Lëvizja Bashkë” dhe “Mundësia” vendosën të garojnë secila më vete. I vetmi përjashtim ishte “Nisma Thurje”, e cila pranoi ftesën e Adriatik Lapajt për bashkim, duke formuar koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Lapaj, në fakt, ftoi për muaj me radhë, publikisht, Arlind Qorin dhe Agron Shehajn. Këta të dy refuzuan duke mos dhënë argumente të qarta. Nuk i dihet sesa i sinqertë ka qenë Lapaj me ftesën e tij, por ai ishte i vetmi që kërkonte bashkim.
Po sa fatale do të jetë kjo ndarje e partive të reja? Jashtëzakonisht! Sistemi zgjedhor në Shqipëri është proporcional-rajonal. Kjo do të thotë se një partie i nevojiten 8,500 deri në 13,500 vota brenda një qarku, për të fituar një mandat.
Pra, nëse Shehaj merr 3,000 vota në Shkodër dhe 10,000 vota në Tiranë, ai nuk merr asnjë mandat. Duhet që votat të jenë brenda “koshit” të një qarku. Ndërkohë, nëse Shehaj merr 6,000 vota në Vlorë dhe Lapaj merr 6,000 vota në Vlorë, asnjëri nuk fiton mandat.
Imagjinoni nëse këto parti të reja do të garonin së bashku. Ato do të kishin shanse shumë herë më të mëdha për të fituar mandate. Bazuar në sondazhet e ndryshme dhe përqindjet respektive, bëhet fjalë për 6-7 mandate në Tiranë, 1-2 në Durrës, 1-2 në Fier, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1-2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.
Pra, këto parti do të fitonin deri në 16 mandate. 11 maji do të tregojë se sa i rëndë është ky gabim, i cili në fakt favorizon partinë e parë të secilit qark, në të shumtën e rasteve PS-në. Duke garuar të ndara, pritet që Lapaj të fitojë 3-5 mandate, Shehaj 2-3, ndërsa Qori 1. m.p.