Ushtria izraelite ka bërë me dije se ka vrarë dhjetëra luftëtarë të Hamasit javën e kaluar gjatë operacioneve për të shkatërruar tunelet në Rripin e Gazës. Qëllimi i operacionit 40-ditor pranë Rafah është “të shkatërrojë sistemet e mbetura të tuneleve nëntokësore në zonë dhe të eliminojë terroristët e fshehur brenda tyre”, tha ushtria të dielën. Ajo shtoi se “më shumë se 40 terroristë u eliminuan” gjatë javës.
“Për më tepër, dhjetëra tunele dhe objekte të infrastrukturës terroriste, si mbi tokë ashtu edhe nën tokë, u shkatërruan në zonë”, shtoi ushtria izraelite. Qyteti i Rafah ndodhet në Rripin jugor të Gazës në kufirin me Egjiptin.
Grupi radikal islamist Hamas pranoi publikisht për herë të parë të mërkurën se luftëtarë të organizatës militante palestineze janë ende në tunelet në Rripin jugor të Gazës – zonat mbi tunele janë nën kontrollin e ushtrisë izraelite, shkruan A2 CNN.
Islamistët u bënë thirrje SHBA-ve, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë, si shtete ndërmjetësuese, që ta nxisin Izraelin t’u japë kalim të sigurt luftëtarëve të Hamasit që kanë mbetur në tunele. Megjithatë, Izraeli vazhdimisht dhe publikisht ka kundërshtuar lirimin e luftëtarëve të Hamasit nga tunelet.
Sipas burimeve të shumta, negociatat në lidhje me praninë e vazhdueshme të luftëtarëve të Hamasit përfundimisht filluan. Kjo u konfirmua për agjencinë e lajmeve AFP të enjten nga një përfaqësues kryesor i Hamasit dhe një përfaqësues i shteteve ndërmjetësuese./mxh
