Last Updated on 05/05/2025 by adminfjala
Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga 11 maji, Partia Demokratike shpërndan një mesazh urgjent për mobilizimin e emigrantëve që nuk janë regjistruar për votim jashtë vendit. Ata kërkojnë që të vijnë në Shqipëri të votojnë. “Bëni çdo përpjekje që të vijnë në Shqipëri për të votuar!”, thuhet në një reagim të Partisë Demokratike.
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Partia Demokratike ka shtuar tonet e thirrjeve për mobilizimin e diasporës shqiptare, duke kërkuar angazhim maksimal nga strukturat e saj në të gjithë vendin. Përmes një mesazhi urgjent të shpërndarë nga kreu i PD-së, Sali Berisha, u kërkohet drejtuesve politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve, kandidatëve për deputetë, si dhe të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së, që të kontaktojnë emigrantët e paregjistruar për të votuar nga jashtë. Në mesazh theksohet se këta qytetarë duhet të ftohen të vijnë fizikisht në Shqipëri për të marrë pjesë në votim dhe për t’u bërë pjesë e betejës kundër regjimit aktual, që Berisha e cilëson si “narkodiktaturë”. Ky apel vjen në të njëjtën linjë me deklaratat e mëhershme të PD-së, që ka denoncuar problematika në procesin e votimit nga jashtë vendit, veçanërisht në Greqi, ku janë raportuar parregullsi në shpërndarjen e zarfeve. Nga ana tjetër, Partia Demokratike vazhdon të nxisë emigrantët që nuk kanë mundur të përfshihen në votimin e diasporës, që të udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe të marrin pjesë aktivisht në zgjedhje.
Reagimi i Topallit
Jozefina Topalli, e deleguara politike e Partisë Demokratike për diasporën, ngre shqetësimin për parregullsitë në shpërndarjen e zarfeve në Greqi dhe i bën thirrje emigrantëve të papërfshirë në votim të vijnë personalisht më 11 maj për të votuar në Shqipëri: “Bëni një sakrificë të fundit, ejani dhe bëhuni pjesë e ndryshimit”. Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi i votimit nga jashtë vendit, duke ngritur zërin për parregullsi të procesit në disa zona të rëndësishme të diasporës. E deleguara politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, në një deklaratë publike ka shprehur shqetësim për atë që e cilësoi si “probleme të rënda në Greqi”, duke i bërë thirrje emigrantëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo pengesë apo shkelje që u ndalon të ushtrojnë të drejtën e votës. “Gjatë kësaj kohe kemi monitoruar, kemi ndjekur nga afër çdo zhvillim dhe kemi marrë raportime nga shumë shtete. Veçanërisht në Greqi janë identifikuar disa probleme serioze me shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit. I ftoj të gjithë shqiptarët që jetojnë atje të na informojnë për çdo parregullsi që kanë vënë re. Ne do t’i përcjellim ato menjëherë dhe me përgjegjësi”, deklaroi Topalli. Megjithatë, ajo shprehu një mirënjohje të thellë për të gjithë shqiptarët që kanë përmbushur detyrimin e tyre qytetar duke kthyer zarfet në Shqipëri, duke i konsideruar si “shpresa të mëdha për 11 majin” dhe si një sinjal që diaspora është kthyer në faktor politik me ndikim. “Jam sot këtu për t’ju falënderuar nga zemra. Diaspora shqiptare është në lartësinë e saj. Zarfet që po kthehen nga jashtë po sjellin një valë shprese dhe përgjegjësie. Vetëm nga Italia kemi rreth 62 mijë zarfe të rikthyera, 22 mijë nga Greqia, 14 mijë nga SHBA, 10 mijë nga Britania e Madhe dhe me dhjetëra mijë të tjera nga vende të ndryshme të botës. Nuk janë thjesht zarfe. Janë shpresë për Shqipërinë dhe për një të ardhme më të mirë,” theksoi Topalli. Në vijim të deklaratës, ajo u bëri thirrje të gjithë atyre që ende nuk kanë përfunduar procesin e votimit, ose që nuk kanë dorëzuar zarfin e tyre, që të veprojnë menjëherë, duke theksuar se çdo votë është vendimtare për ndryshimin që PD synon të sjellë. “Ka ende kohë. Ata që nuk e kanë plotësuar fletën e votimit, apo që e kanë në shtëpi zarfin dhe nuk e kanë dorëzuar, ju lutem, bëjeni tani. Mos e shtyni më. Ky është momenti kur çdo shqiptar në diasporë ka në dorë të ndikojë fatin e Shqipërisë.” Por mesazhi më i fortë i Jozefina Topallit ishte për ata mijëra emigrantë që nuk kanë arritur të regjistrohen për votën nga jashtë. Ajo i ftoi që të mos qëndrojnë tërhequr, por të marrin vetë rrugën drejt Shqipërisë dhe të votojnë fizikisht më 11 maj. “Të gjithë ata që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë, ju bëj një thirrje nga zemra: bëni një sakrificë të fundit. Merrni një biletë, merrni makinën, ejani në Shqipëri javën tjetër. Ejani për të votuar. Ejani për të qenë pjesë e ndryshimit. Ky vend ka nevojë për ju. Familjet tuaja në Shqipëri kanë nevojë për ju. Mos qëndroni pasivë. Të gjithë së bashku mund të sjellim ndryshimin që vendi ynë meriton.”, tha ajo. Topalli e përmbylli deklaratën me një falënderim për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në Greqi, Itali, Gjermani, SHBA, Belgjikë e vende të tjera, duke theksuar se vota e tyre ka më shumë se kurrë vlerë për të ardhmen e Shqipërisë. “Ju jeni bërë cunami i ndryshimit. Këtë nuk mund ta ndalë askush. Vota juaj është një ftesë për shpresë. Vota juaj është kthim në Shqipëri, është rikthim i dinjitetit.”, tha ajo.
Celibashi apel votuesve në diasporë: Kontaktoni DHL-në nëse nuk keni marrë fletën e votimit
Kur procesi i votimit të diasporës është drejt përfundimit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ai i fton të gjithë ata që nuk kanë marrë ende njoftim nga DHL për dërgesën e zarfit me fletën e votimit, të kontaktojnë sa më parë këtë shërbim postar në vendin ku ndodhen. Në fokus të veçantë është komuniteti shqiptar në Greqi, ku, sipas KQZ-së, është konstatuar numri më i lartë i mungesës së kontaktit mes kompanisë shpërndarëse dhe votuesve. Sipas Celibashit, shkaku kryesor i kësaj situate janë adresat jo të përditësuara që zgjedhësit kanë deklaruar në Regjistrin e Posaçëm për Emigrantët (PER), të cilat nuk përputhen me vendbanimin aktual. Një tjetër problem i madh është përdorimi i numrave të telefonit shqiptarë, të cilët janë të pavlefshëm jashtë vendit dhe pamundësojnë njoftimin përmes SMS. “Të gjithë ata zgjedhës nga jashtë, kudo në botë, por veçanërisht ata në Greqi, të cilët deri më sot nuk kanë marrë njoftim dhe/ose nuk janë kontaktuar nga DHL, qoftë nëpërmjet e-mailit apo nëpërmjet SMS-it, janë të lutur të kontaktojnë me shërbimin e DHL në vendin ku jetojnë, për t’u informuar mbi dërgesën postare nga KQZ. Mungesa e njoftimit apo e kontaktimit të këtyre zgjedhësve deri tani nga DHL është kryesisht për shkak të problemeve me adresën e banimit të deklaruar në PER, e cila nuk përputhet me adresën aktuale në terren, ose për shkak të përdorimit të numrave të kontaktit shqiptarë, ku zgjedhësi nuk ka akses.”, tha Celibashi.