Last Updated on 11/05/2025 by adminfjala
Ka dështuar mbledhja e Komisionit Rregullator në KQZ ku do të shqyrtohej propozimi për zgjatjen e afatit të votimit në 55 qendra votimi në qarkun e Vlorës, për shkak të aktivitetit “Giro d’Italia”.
Kanë qenë komisionerët e opozitës, Helga Vukaj dhe Muharrme Çakaj, ata të cilët kanë braktisur këtë seancë dhe rrjedhimisht në mungesë të kuorumit, kryetarja e këtij komisioni, Ilirjana Nano deklaroi se kërkesa e socialistëve nuk do të merret për shqyrtim.
Në përmbyllje të kësaj mbledhje Nano u bëri thirrje qytetarëve vlonjatë që të shfrytëzojnë këtë kohë të mbetur për t’iu drejtuar kutive të votimit, pavarësisht kushteve të vështira në të cilën ndodhen për shkak të bllokimit të rrugëve si pasojë e këtij eventi.
Gjithashtu, një apel ajo e pati edhe për kandidatët për deputetët duke u bërë thirrje që të largohen nga qendrat e votimit dhe të respektojnë ligjin.
“Do t’i bëja një thirrje qytetarëve shqiptare të cilët nuk kanë mundur të shkojnë të votojnë. I bë thirrje qytetarëve të këtyre 5 5qendrave që të krijojnë mundësi edhe në kushte të paksueshmërisë për shkak të atij eventi do i bëja thirrje edhe kandidatëve për deputetë nëse janë të largohen”, tha ajo.
Kujtojmë se Vlora është dhe qarku i cili ka regjistruar një numër më të vogël votuesish. Nga statistikat e bëra publike në orën 17:00, rezultoi se në qarkun e Vlorës kanë votuar 27.19% e zgjedhësve.
Në qytetin bregdetar është duke u zhvilluar gara sportive e “Giro d’Italia” e cila ka “paralizuar” një pjesë të rrugëve. Një ditë më parë Partia Socialiste kërkoi shtyrje ne orarit të votimit në këtë qark, deri në orën 22:00. m.p.