Last Updated on 12/05/2025 by adminfjala
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka theksuar edhe një herë se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian. Duke folur për mediat e huaja, Costa theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen të parat.
“Institucionet evropiane shpesh e kanë treguar vitin 2030 si datën e synuar për pranimet e para në BE, veçanërisht ato të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Megjithatë, Brukseli tani flet vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi.”, tha Costa.
Ai siguroi vendet e rajonit se kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët paqeje dhe stabiliteti. Costa bëri këtë deklaratë përmes një postimi në ‘X”, vetëm dy ditë para se të zhvillojë një vizitë në rajon, teksa shkruan se kjo është hera e parë që viziton partnerët e Ballkanit Perëndimor.
“Këtë javë është hera ime e parë që vizitoj të gjashtë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, si President i Këshillit Evropian. E ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian. Është mënyra më e mirë për të kthyer faqen e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti.”, shkruan Presidenti i KiE. m.p.