Last Updated on 10/05/2025 by adminfjala
Një tjetër hetim ka nisur nga Policia e Lezhës ndaj kandidatit për deputet të PD-së në këtë qark, ish-gjyqtarit Gjin Gjoni. Një qytetar e ka denoncuar se ai i kishte shkuar në banesë dhe i kishte kërkuar votën, teksa edhe e ka denoncuar në Polici.
Burime zyrtare konfirmuan se pasi kryen veprimet paraprake, referuan në prokurorinë e Rrethit kandidatin 55-vjeçar.
Denoncimi është bërë nga 66-vjeçari Valentin Kukaj dhe i biri Angjelin Kukaj.
“Janë referuar materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasit Gj. Gj. 55 vjeç, banues në Lezhë ( kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Dekomokratike”, pasi ndaj tij është bërë kallzim nga shtetasi V. K., 66 vjeç, banues në Lezhë, se i ka shkuar te banesa duke i kërkuar votën”, njoftoi policia vendore pas veprimeve hetimore të kryera.
I kontaktuar nga gazetari i report Tv, Elvis Hila, ish-gjyqtari Gjoni e ka mohuar, duke deklaruar se ‘ka qenë ai që i ka kallëzuar në SPAK personat babë e bir nga fshati Krajen, për “blerje votash”.
Kandidati i Sali Berishës, Gjin Gjoni, është vënë në hetim për shpifje edhe më datën 6 maj. Policia e Lezhës njoftoi se ish-gjyqtari ka shpifur për zyrtarë socialistë, duke thënë se janë të implikuar në blerje votash dhe se u vu në lëvizje pas kallëzimit që vetë zyrtarët bënë dhe të cilët Gjin Gjoni i përmendi me emra publikisht, në një postim në Facebook.
Njoftimi i Policisë së Lezhës: “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë kryer veprimet hetimore procedurale dhe referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, Në ngarkim të shtetasit Gj. Gj. 55 vjeç, banues në Lezhë ( kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Dekomokratike”, pasi ndaj tij është bërë kallzim nga shtetasi V. K., 66 vjeç, banues në Lezhë, se i ka shkuar te banesa duke i kërkuar votën”. m.p.