Last Updated on 10/05/2025 by adminfjala
Arrestohet i fshehur në Greqi 51-vjeçari i shumëkërkuar si anëtar i grupit të Laert Haxhiut në Lushnjë, i akuzuar si bashkëpunëtor edhe në vrasjen e Besnik Hidës, e kryer në vitin 2019 në qytetin myzeqar.
Policia e Shtetit konfirmoi sot (10 maj) operacionin e kryer në Pire dhe ka nisur procedurat e ekstradimit të Ardian Ahmetajt.
Operacioni është koduar “Wanted” dhe Ahmetaj ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Njoftimi:
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi kriminal.
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion për një shtetas të kërkuar që fshihej në Greqi dhe menjëherë, nëpërmjet Interpol Tiranës, kanë bashkëpunuar me homologët grekë për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë, në Pire, Greqi, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi shtetasi A. A., 51 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Ky shtetas, dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me shtetasit L. H. dhe O. B., kanë vrarë me armë zjarri shtetasin B. H.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimin e ketij shtetasi në Shqipëri./e.s