Përfaqësuesit e transmetuesit zviceran SRG SSR gjatë një konference për shtyp zbuluan detaje rreth temës dhe fazës së edicionit të 69-të të Eurovizionit,.
Qyteti i Bazelit do të presë garën prestigjioze në Stadion St. Jakob Park, në datat 13, 15 dhe 17 maj. I frymëzuar nga tradita zvicerane e demokracisë së drejtpërdrejtë, e cila sillet rreth dëgjimit dhe dialogut, drejtori artistik Artur Deyneuve zgjodhi “dëgjimin” si temë qendrore të konkursit, duke e quajtur atë “Uniteti i jep formë dashurisë”
“Nëse dëgjojmë njëri-tjetrin, gjejmë dashurinë”-tha ai. Ky mesazh është kapur edhe vizualisht përmes simbolit ikonik të zemrës së Eurovizionit, i cili këtë vit simbolizon dialogun, unitetin dhe fuqinë e muzikës për t’i afruar njerëzit.
Florian Wieder mbikëqyr skenën e Eurovizionit për herë të tetë, duke marrë frymëzim nga malet e vendit dhe diversiteti gjuhësor.
“Qëllimi ynë ishte të krijonim një koncept revolucionar skenik, një përvojë holistike që nuk e kemi parë kurrë më parë në Eurovizion. Falë paraqitjes gjithëpërfshirëse të skenës, publiku do të bëhet pjesë e Eurovizionit si kurrë më parë”-tha ai në konferencën për shtyp.
Po ashtu janë zbuluar çmimet e biletave, slogani dhe logoja e Eurovisionit si dhe skena ku do të mbahet eventi.
Platforma zvicerane e biletave TicketCorner është partneri zyrtar i biletave për Eurosong 2025. Regjistrimi kërkohet për të blerë bileta për konkursin në Bazel.
Ky proces do të parandalojë rishitjen e biletave dhe do të sigurojë që sa më shumë fansa të Eurosong të kenë mundësinë t’i shikojnë shfaqjet drejtpërdrejt. Regjistrimi paraprak tashmë ka filluar dhe përfundon në mesnatën e 10 janarit 2025.
Shitja zyrtare e biletave fillon më 29 janar 2025, një ditë pas shortit të gjysmëfinaleve. Çmimet për shfaqje dhe kategori të ndryshme do të variojnë nga 40 franga zvicerane deri në 350 franga zvicerane.
Gjithashtu mësohet se finalja e madhe do të mbahet në datën 17 maj të vitit 2025./ S.M