Sekretari i përgjithshëm i OKB-së i bëri thirrje të hënën bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë “hapa urgjentë, konkretë dhe të pakthyeshëm” drejt një zgjidhjeje me dy shtete, duke paralajmëruar se situata në Rripin e Gazës po i çon palestinezët më thellë në dëshpërim.
“Le të jemi të qartë: Shtetësia për palestinezët është një e drejtë, jo një shpërblim. Dhe mohimi i shtetësisë do të ishte një dhuratë për ekstremistët kudo”, tha Antonio Guterres në hapjen e një konference të nivelit të lartë të OKB-së mbi zgjidhjen paqësore të çështjes palestineze, duke paralajmëruar gjithashtu: “Koha po mbaron. Me çdo ditë që kalon, besimi po bie. Institucionet dobësohen. Dhe shpresat shuhen.”
Guterres dënoi thellimin e krizës në Gaza, duke thënë se enklava “ka rënë në një kaskadë katastrofash”.
“Përshëndes hapat e fundit për të ulur kufizimet ndaj ndihmës humanitare që shpëton jetë, por kjo është larg zgjidhjes për t’i dhënë fund këtij makthi. Ne kemi nevojë për: Një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm. Lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve. Qasje të plotë dhe të pakufizuar humanitare. Këto nuk janë parakushte për paqen. Ato janë themeli i saj”, tha ai.Ai theksoi gjithashtu se “pushtimi i vazhdueshëm i territorit të pushtuar palestinez, përfshirë Jerusalemin Lindor, nga Izraeli është i paligjshëm” dhe theksoi se “duhet të marrë fund. Është ligj”.
Duke paralajmëruar për rrezikun e një realiteti me një shtet, ai tha: “Një realitet me një shtet ku palestinezëve u mohohen të drejtat e barabarta dhe detyrohen të jetojnë nën pushtim dhe pabarazi të përhershme? Një realitet me një shtet ku palestinezët dëbohen nga toka e tyre? Kjo nuk është paqe. Kjo nuk është drejtësi. Kjo nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”
Duke e quajtur zgjidhjen me dy shtete “çështjen qendrore për paqen në Lindjen e Mesme”, Guterres i kërkoi Izraelit të “riangazhohet, qartë dhe pa mëdyshje, për zgjidhjen me dy shtete dhe të ndërpresë të gjitha veprimet që e minojnë atë”.
“Ky konflikt nuk mund të menaxhohet. Ai duhet të zgjidhet. Nuk mund të presim për kushte të përsosura. Duhet t’i krijojmë ato. Nuk mund t’i shtyjmë përpjekjet për paqe derisa vuajtja të bëhet e padurueshme. Duhet të veprojmë para se të jetë tepër vonë”, tha ai./E.T