Last Updated on 29/07/2025 by adminfjala
Analizë nga Brett H. McGurk | CNN |
Gjatë fushatës elektorale, Donald Trump premtoi se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë ditën e parë të presidencës së tij dhe do të përfundonte me shpejtësi edhe luftën në Gaza. Por gjashtë muaj pas marrjes së detyrës, paqja në të dy frontet duket më larg se kurrë.
Në Gaza, negociatat për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh që vetëm pak javë më parë kishin shpresa të mëdha, kanë dështuar dhe situata humanitare është katastrofike. Në Ukrainë, përpjekjet diplomatike janë përballur me sulmet ajrore më të mëdha të Rusisë deri më sot.
Shembuj nga historia
Përfundimi i një lufte është një nga detyrat më të vështira diplomatike, dhe Trump nuk është presidenti i parë që e mëson këtë në mënyrën më të vështirë:
Dwight D. Eisenhower në vitin 1952 premtoi se do përfundonte luftën në Kore dhe pas zgjedhjes, iu deshën 7 muaj dhe kërcënime për përshkallëzim që të arrihej armëpushimi, një marrëveshje që vetëm e ngriu gjendjen, por nuk e përfundoi luftën.
Richard Nixon në vitin 1968 premtoi fund “me nder” të luftës në Vietnam, por gjatë mandatit të tij lufta u përshkallëzua dhe vetëm pas rizgjedhjes, në vitin 1973, nënshkroi marrëveshjen e Parisit.
Barack Obama, gjithashtu premtoi përfundimin e luftës në Irak, por ndoqi planin e përgatitur nga administrata e Bushit për tërheqje graduale.
Donald Trump, si president në mandatin e parë, premtoi një “plan sekret” për të mposhtur ISIS, por në realitet ndoqi planin e trashëguar nga Obama dhe e përfundoi atë në vitin e tretë të mandatit të tij, përcjell A2 CNN.
Gaza: Nuk ka hapësirë për marrëveshje
Në Gaza, grupi Hamas ka një kërkesë kryesore që nga dita kur kreu sulmin e 7 tetorit 2023: të mbetet në pushtet nën një armëpushim të njohur ndërkombëtarisht dhe një plan rindërtimi. Hamas nuk ka pranuar as të diskutojë për dorëzimin e kontrollit të sigurisë një force tjetër, qoftë ajo arabe apo palestineze.
Kjo kërkesë refuzohet kategorikisht nga Izraeli, i cili kërkon që Hamas të mos mbetet në pushtet në fund të luftës. Edhe SHBA, Britania dhe vende të tjera e mbështesin këtë qëllim. Prandaj, meqenëse nuk ka asnjë “Zonë Marrëveshjeje të Mundshme” (ZOPA), fokusi është zhvendosur te marrëveshje të pjesshme dhe të përkohshme.
Plani i propozuar nga administrata Biden përfshinte një armëpushim fazor në këmbim të lirimit të pengjeve, tërheqjen e ushtrisë izraelite nga zonat e populluara dhe një rritje të ndihmës humanitare. Ky plan u miratua edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Por Hamas e ka refuzuar për shkak se nuk pranon të heqë dorë nga pushteti.
Ukraina: Gjithashtu pa mundësi marrëveshjeje
Në Ukrainë, qëllimi i Rusisë është të aneksojë territore dhe të dobësojë totalisht shtetin ukrainas. Ndërkohë, Ukraina kërkon të çlirojë territoret e pushtuara dhe të sigurojë mbështetje ushtarake nga Perëndimi./kb