Last Updated on 27/08/2025 by adminfjala
Rusia ka qëndrim negativ për propozimet evropiane për garanci të sigurisë për Ukrainën dhe nuk do të pranojë asnjë prezencë të trupave të NATO-s në territorin e shtetit fqinj, tha Kremlini më 27 gusht.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, lavdëroi përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i cilësuar si “shumë të rëndësishme”, megjithatë ai tha se Moska shpreson që do të vazhdojnë këto përpjekje.
Si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme të paqes, aleatët evropianë të Ukrainës po punojnë për të hartuar një paketë garancish për Ukrainën, që do ta mbronin vendin nga një sulm i mundshëm i Rusisë.
Por, Peskov tha se dislokimi i trupave evropiane në Ukrainë do të nënkuptonte prani të NATO-s atje, gjë që sipas tij Rusia ka synuar që ta parandalojë që nga fillimi.
“Në fakt, që në fillim, ishte avancimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s dhe depërtimi i kësaj infrastrukture ushtarake në Ukrainë që mund të përmendet ndoshta si një nga shkaqet themelore të situatës së konfliktit që lindi”, tha ai.
“Prandaj, ne kemi një qëndrim negativ për këto diskutime”.
Të gjitha palët u pajtuan se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë pjesë e një marrëveshje të paqes, por kanë dallime thelbësore se çfarë forme duhet të marrin këto garanci.
Rusia thotë se duhet të jetë një nga garantuesit e sigurisë së Ukrainës dhe dëshiron të ringjallë një propozim që palët e kanë diskutuar më 2022, në javët e para të luftës. Kievi e refuzon një gjë të tillë, duke thënë se do t’i jepte Moskës veto ndaj çdo mbështetje të jashtme ushtarake për Ukrainën. m.p.
