Last Updated on 29/08/2025 by adminfjala
Agjensia e lajmeve Reuters ka publikuar raportin e lajmeve digjitale për vitin 2025. Raporti i këtij viti publikohet në një kohë pasigurie të thellë politike dhe ekonomike, ndryshimesh në aleancat gjeopolitike, pa lënë mënjanë krizën klimatike dhe konfliktet e vazhdueshme shkatërruese në mbarë botën. Në këtë kontekst, gazetaria analitike dhe e bazuar në fakte do të duhej të lulëzonte, me gazeta që shiten masivisht, media transmetuese dhe trafik në ueb që rritet. Por, si tregon raporti, realiteti është ndryshe. Në shumicën e vendeve, mediat tradicionale po hasin vështirësi në lidhjen me publikun, me angazhim në rënie, besim të ulët dhe abonime digjitale të cunguara.
Një lëvizje në rritje drejt konsumimit përmes mediave sociale dhe platformave video po zvogëlon më tej ndikimin e ‘gazetarisë institucionale’ dhe po fuqizon një mjedis alternativ të fragmentuar mediatik, ku përfshihen podcast-erë, YouTube-rë dhe TikTok-erë. Politikanët populistë në mbarë botën po anashkalojnë gazetarinë tradicionale duke zgjedhur media partiake të favorshme, “personalitete” dhe influencues që shpesh marrin akses të veçantë, por rrallëherë bëjnë pyetje të vështira, me shumë prej tyre të përfshirë në përhapjen e narrativave të rreme.
Këto tendenca janë veçanërisht të theksuara në Shtetet e Bashkuara nën presidencën e Donald Trump, si dhe në pjesë të Azisë, Amerikës Latine dhe Europës Lindore, por po ecin më ngadalë në vende ku markat e lajmeve ruajnë lidhje të forta me audiencën. Në vendet ku liria e shtypit është nën kërcënim, ekosistemet alternative ofrojnë mundësi për të sjellë perspektiva të reja dhe për të sfiduar qeveritë represive. Por njëkohësisht, këto ndryshime mund të kontribuojnë në polarizim politik në rritje dhe një debat më të ashpër online. Në këtë kontekst, raporti nxjerr në pah një hendek të thellë mes SHBA dhe Europës, si dhe mes konservatorëve dhe progresistëve në të gjithë botën, mbi kufijtë e fjalës së lirë dhe rolin e moderimit të përmbajtjes dhe verifikimit të fakteve në rrjetet sociale.
Ky vit shënon gjithashtu shqetësime të reja për platformat dhe chatbot-et e AI-së, të cilat janë përfshirë për herë të parë në këtë studim. Specialistët e medias shqetësohen se përditësimet e AI-së, përfshirë përmbledhjet automatike dhe veçori të tjera për lajmet, mund të reduktojnë trafikun drejt faqeve dhe aplikacioneve. Megjithatë, raporti tregon se, në një botë gjithnjë e më të mbushur me përmbajtje sintetike dhe dezinformim, të gjitha gjeneratat vlerësojnë ende brand-et mediatike e besueshme për saktësinë, edhe nëse nuk i përdorin aq shpesh sa më parë.
Me një numër gjithnjë e më madh njerëzish që shmangin lajmet, raporti i Reuters shqyrton përfitimet e mundshme të përdorimit të teknologjive të reja AI për të personalizuar përmbajtjen dhe për ta bërë atë më tërheqëse për të rinjtë. Raporti, i mbështetur nga hulumtime cilësore në tre tregje (MB, SHBA dhe Norvegji), përfshin gjithashtu një kapitull mbi gjendjen e podcast-imit, ndërthurjen me talk show-t video dhe perspektivat për pagesën e përmbajtjes audio. Po ashtu eksploron vlerën e lajmeve lokale dhe gatishmërinë për mënyra më fleksibël pagesash online, përfshirë “paketa lajmesh”.
Ky, botimi i katërmbëdhjetë i Digital News Report nga Reuters, i bazuar në të dhëna nga gjashtë kontinente dhe 48 tregje, na kujton se këto ndryshime nuk ndodhin njësoj në të gjithë botën. Ndërsa ka sfida të përbashkëta mbi ritmin e ndryshimit dhe rolin shkatërrues të platformave, detajet e tjera ndryshojnë në varësi të madhësisë së tregut, zakoneve dhe kulturës, si dhe marrëdhënies mes medias dhe politikës. m.p.
