Last Updated on 31/08/2025 by adminfjala
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nuk i kurseu fjalët ndaj Vladimir Putinit gjatë një vizite të dielën në kufirin e Polonisë me Bjellorusinë.
“Ai është një grabitqar,” -tha von der Leyen. – “Ne duhet të ruajmë ndjenjën e urgjencës, sepse e dimë që Putini nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.”
Shefja e Komisionit Europian ndodhet në një tur prej shtatë vendesh të ashtuquajtura shtete të vijës së parë, për t’i siguruar ato për mbështetjen e BE-së ndaj agresionit rus. Vizita e saj përkon me përpjekjet e shtuara të presidentit amerikan Donald Trump për të ndërmjetësuar një armëpushim në luftën e Putinit kundër Ukrainës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e katërt.
Përveç Polonisë, von der Leyen do të vizitojë Finlandën, Estoninë, Lituaninë dhe Letoninë të gjitha vende që kufizohen me Rusinë ose Bjellorusinë si dhe Bullgarinë dhe Rumaninë, në atë që konsiderohet si nisma e saj më e madhe diplomatike mbi sigurinë dhe mbrojtjen e BE-së që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022.
Von der Leyen dhe kryeministri polak Donald Tusk vizituan Ozierany Male, pranë një pjese të gardhit elektrik të sapopërfunduar në kufirin polako-bjellorus.
Tusk tha se ky kufi është “po aq i rëndësishëm sa ëndrra e çlirimit nga sundimi sovjetik 45 vjet më parë,” duke iu referuar përvjetorit të marrëveshjes historike të 31 gushtit 1980. “Polonia, Europa, NATO dhe Shtetet e Bashkuara duhet sërish, ashtu si dikur, ashtu siç ndjemë mbështetjen e gjithë Perëndimit 45 vjet më parë kur u themelua Lëvizja Solidariteti, të jenë sot shumë të fortë, vendimtarë dhe të tregojnë solidaritet ndaj kësaj versioni të ri të perandorisë së së keqes,” – tha Tusk. m.p.
