Last Updated on 13/09/2025 by adminfjala
Më shumë se 100,000 persona janë mbledhur këtë të shtunë në qendër të Londrës për të marrë pjesë në marshimin “Unite the Kingdom”, i organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson. Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë publike, ndërsa në një tjetër pjesë të qytetit po zhvillohet një kundër-protestë e organizuar nga lëvizja Stand Up To Racism, me moton “March Against Fascism”.
Protestuesit e marshimit kryesor janë mbledhur në zonën e Whitehall, ku po mbahen fjalime nga figura të njohura të së djathtës ekstreme, përfshirë Steve Bannon, ish-strateg i fushatës presidenciale të Donald Trump.
Policia Metropolitane ka konfirmuar se disa efektivë janë sulmuar me sende të forta nga protestues të marshimit “Unite the Kingdom”, duke detyruar forcat e rendit të përdorin forcë për të ruajtur kordonët e sigurisë. Në terren janë dislokuar mbi 1,500 efektivë, përfshirë 500 oficerë të sjellë nga rajone të tjera si Leicestershire, Nottinghamshire dhe Devon & Cornwall.
Autoritetet kanë ngritur barriera të shumta për të krijuar një zonë të izoluar mes dy grupimeve protestuese, në përpjekje për të shmangur përplasje direkte.
Rrugët pranë urës Waterloo u mbushën me flamuj të Union Jack, Shën Gjergjit, Skocisë dhe Uellsit, ndërsa parullat e shumta përfshinin mesazhe si “Stop the Boats”, “Send Them Home” dhe “Unite the Kingdom”. Në turmë u identifikuan edhe aktivistë me qëndrime anti-transgjinore. Një pjesëmarrës mbante një kryq të madh prej druri me mbishkrimin “RIP Charlie Kirk”, në kujtim të aktivistit amerikan të vrarë pak ditë më parë.
Një skenë e ngritur në Whitehall shërben si pikë e fjalimeve, ku mbështetësit dëgjojnë muzikë dhe slogane që lartësojnë figurën e Tommy Robinson.
Në anën tjetër të qytetit, mijëra persona janë mbledhur në Russell Square për të protestuar kundër ekstremizmit të djathtë. Kundër-protesta e quajtur “March Against Fascism” është organizuar nga grupi Stand Up To Racism dhe ka tërhequr pjesëmarrjen e aktivistëve, qytetarëve dhe politikanëve të majtë.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Gratë kundër ekstremit të djathtë”, “Refugjatët janë të mirëpritur” dhe “Kundërshtoni Tommy Robinson”. Në mesin e folësve të paralajmëruar janë edhe deputetet britanike Diane Abbott dhe Zarah Sultana.
Policia Metropolitane ka njoftuar se nuk do të përdorë teknologjinë e njohjes faciale në kohë reale gjatë protestave, ndryshe nga praktikat e zakonshme në ngjarje të mëdha publike. Autoritetet gjithashtu kanë marrë ankesa nga komunitete myslimane në Londër për shkak të retorikës anti-myslimane që shoqëron shpesh aktivitetet e Tommy Robinson. m.p.
