Media britanike Daily Mail ka zbuluar prapaskenat e një përplasje interesante mes shefave të kuzhinës në Kështjellën mbretërore Windsor dhe Shërbimin Sekret të SHBA, gjatë darkës luksoze të organizuar nga Mbreti Charles III për pritjen e Presidentit Donald Trump në Britani.
Kjo darkë spektakolare e pa Trump-in dhe bashkëshorten e tij, Melania, të ulur në tryezën mbretërore me Mbretin Charles, Princin William dhe Princeshën Kate, të rrethuar nga dhjetëra drejtues të lartë biznesi dhe diplomatë nga të dy anët e Atlantikut.
Por teksa 160 të ftuarit VIP po shijonin një darkë me tre pjata në ambientet e rafinuara të sallës “St George” në Kalanë Windsor, tensionet “poshtë shkallëve” kishin filluar të zienin.
Burime për Daily Mail kanë treguar se disa anëtarë të ekipit të Shërbimit Sekret, që ishin caktuar për të mbrojtur Presidentin amerikan, kanë hyrë në kuzhinë për të mbikëqyrur përgatitjen e ushqimit nga kuzhinierët mbretërorë – madje kanë provuar edhe ushqimet – gjë që disa prej kuzhinierëve e kanë ndjerë si ndërhyrje shqetësuese në punën e tyre.
Ndërsa të ftuarit nuk dinin asgjë, atmosfera në kuzhinë u bë shpejt e tensionuar dhe situata degjeneroi kur filluan ngritjet e zërit mes stafit të kuzhinës dhe agjentëve amerikanë të sigurisë.
“Darka ishte një sukses i jashtëzakonshëm në sallë, por pas kuintave pati një përplasje. Tensionet u ndezën midis kuzhinierëve që përgatitnin vaktin dhe ekipit të sigurisë amerikane që mbikëqyrte mbrojtjen e Presidentit dhe shoqëruesve të tij. Kuzhinierët, që po përpiqeshin të shërbenin tri pjata në mënyrë të përsosur, u frustruan kur agjentët amerikanë vazhdimisht kontrollonin dhe madje provonin ushqimet”, tha një burim nga Kështjella Windsor për Daily Mail. m.p.