Dronët që fluturuan mbi Aeroportin e Aalborgut në veri të Danimarkës gjatë natës, si dhe mbi tri aeroporte më të vogla në vend, kishin për qëllim të ndillnin frikë, thanë zyrtarët danezë të enjten.
Zyrtarët thanë se nuk dihet ende se kush qëndronte pas këtyre incidenteve.
Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, e quajti këtë “sulm hibrid” sepse fluturimet ndodhën brenda afërsisht të njëjtës periudhë kohore.
Ai shtoi se dukej se një “aktor profesional” qëndronte pas këtyre fluturimeve “sistematike”, pa dhënë hollësi të mëtejshme gjatë një konference për shtyp të enjten në mëngjes.
Autoritetet thanë se nuk ka rrezik për banorët.
Qëllimi i fluturimeve ishte të krijohej frikë dhe ndarje, tha të enjten ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, duke shtuar se vendi do të kërkojë mënyra shtesë për të neutralizuar dronët, përfshirë propozuar ligj për t’i lejuar pronarët e infrastrukturës t’i rrëzojnë ata.
Aeroportet u rihapën mëngjesin e së enjtes, pasi kishin qëndruar të mbyllura për disa orë, kur dronë të paidentifikuar hynë gjatë natës në hapësirën e tyre ajrore.
Ky ishte incidenti i dytë i tillë i sigurisë në vendin nordik këtë javë.
Billund, aeroporti i dytë më i madh në Danimarkë, u mbyll për një orë, ndërsa ai i Aalborgut, i përdorur si për fluturime civile ashtu edhe për ato ushtarake, u mbyll për tri orë për shkak të futjes së dronëve të mërkurën natën, tha Policia daneze.
Dronë u vunë re gjithashtu pranë aeroporteve në Esbjerg dhe Sonderborg, si dhe në bazën ajrore Skrydstrup, ku mbahen disa prej avionëve luftarakë F-16 dhe F-35 të Danimarkës.
Policia kombëtare daneze tha se dronët ndoqën një model të ngjashëm me ata që kishin ndalur fluturimet në aeroportin e Kopenhagenit të hënën natën dhe të martën në mëngjes.
Policia e përshkroi incidentin si “sulmin” më serioz deri tani ndaj infrastrukturës kritike dhe e lidhi me një sërë shkeljesh të dyshuara të hapësirës ajrore nga dronë rusë dhe pengesa të tjera nëpër Evropë, pa dhënë prova konkrete.
Ambasadori i Rusisë në Danimarkë, Vladimir Barbin, mohoi çdo përfshirje të vendit të tij në incidentin e Kopenhagenit./e.t