Kryeministri i ri i Francës, Sébastien Lecornu, përjashtoi sot rikthimin e taksës mbi pasurinë si dhe pezullimin e reformës jopopullore të sistemit të pensioneve, duke dhënë një sinjal të parë mbi drejtimin që do të ndjekë politika e tij, ndërkohë që po përpiqet të hartojë buxhetin për vitin 2026 dhe të formojë qeverinë e re.
Që nga dita kur presidenti Emmanuel Macron e emëroi Lecornu-n si kryeministrin e tij të pestë brenda më pak se dy vitesh, në një klimë të thellë krize politike, ai ka qenë tepër i rezervuar për planet e tij, duke u fokusuar më shumë në konsultimet me liderët e partive dhe sindikatat.
“Nis me një faqe të bardhë,” deklaroi ai në një intervistë për gazetën Le Parisien. Paraardhësi i tij, François Bayrou, u rrëzua nga parlamenti për shkak të planit të tij për të shkurtuar 44 miliardë euro nga buxheti i vitit të ardhshëm.
Lecornu tha se objektivi i tij është ulja e deficitit buxhetor në rreth 4,7% të PBB-së në vitin 2026, afër objektivit të Bayrou që ishte 4,6%, nga 5,4% që parashikohet të arrijë këtë vit.
Ai shtoi se në planin e tij buxhetor do të marrë parasysh kërkesën e qytetarëve francezë për më shumë drejtësi fiskale. Sipas tij, do të jetë parlamenti ai që do të vendosë përfundimisht për paketën përfundimtare të buxhetit, duke i nxitur ligjvënësit të kërkojnë konsensus.
“Është parlamenti ai që do të hartojë buxhetin e shtetit,” tha Lecornu, duke shtuar menjëherë pas kësaj: “Në fund, nuk do të jetë buxheti i Lecornu: do të nevojiten kompromise në sallë.” m.p.