Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendimin për të anuluar vizën e presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, si përgjigje ndaj deklaratave të tij gjatë vizitës në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Petro iu bashkua një proteste pro-palestineze në rrugët e New York-ut, ku mbajti një fjalim përmes një megafoni në gjuhën spanjolle, të cilin e përktheu bashkëpunëtori i tij. Ai u bëri thirrje vendeve të botës të krijojnë një ushtri “më të madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara”, ndërsa iu drejtua edhe ushtarëve amerikanë me fjalë të drejtpërdrejta:Që këtu nga New York-u, i bëj thirrje të gjithë ushtarëve të Ushtrisë së SHBA-ve: mos drejtoni armët kundër njerëzimit. Mos dëgjoni urdhrin e Trump-it! Dëgjoni urdhrin e njerëzimit!
Këto deklarata kanë nxitur reagimin e menjëhershëm të administratës amerikane, e cila në një njoftim zyrtar deklaroi: Presidenti kolumbian Gustavo Petro sot doli në rrugët e New York-ut duke u bërë thirrje ushtarëve amerikanë të mos zbatojnë urdhrat dhe duke nxitur dhunë. Për shkak të sjelljes së tij të papërgjegjshme dhe provokuese, vendosëm të anulojmë vizën e tij.
Mediat kolumbiane, duke cituar burime të Agence France-Presse, raportojnë se Petro është kthyer në Bogota të premten në mbrëmje, pas zhvillimeve të fundit./kb