Takimi kokë më kokë pa media/ Trump dhe Netanyahu, bisedime për paqe në Gaza

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti këtë të hënë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në një takim që fokusohet në një plan të ri paqeje me 21 pika për Rripin e Gazës.

Gjatë përshëndetjes, disa gazetarë pyetën nëse pritet paqe së shpejti në Gaza. Trump shfaqi besim, duke ngritur gishtin e madh dhe deklaruar: “Jam shumë i sigurt”, ndërsa Netanyahu qëndroi duarkryq duke buzëqeshur.

Takimi po zhvillohet aktualisht në Zyrën Ovale pa praninë e mediave, ndërsa pas këtij takimi udhëheqësit pritet të drekojnë së bashku dhe më pas të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp për të ndarë më shumë detaje mbi bisedimet dhe planin e paqes.

Ky takim vjen në një moment me ndjeshmëri të lartë ndërkombëtare, pasi tensionet në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Rripin e Gazës, mbeten të larta. Kjo shënon vizitën e katërt të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump.