Nga Gaby Hinsliff
Tani është radha e Keir Starmer për t’u përballur me një problem që asnjë nga paraardhësit e tij nuk ka mundur ta zgjidhë: a mundet një komb i varfër në para të përballojë zemërimin e një superfuqie?
Dy të rinj, të akuzuar për kalimin e sekreteve në Kinë – të cilët këmbëngulin në pafajësinë e tyre – janë përfshirë në një vorbull intrigash politike, në qendër të së cilës qëndron një figurë hijerëndë e gjysmë-mitike: Jonathan Powell, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare në Downing Street. Por historia që dominoi titujt e mediave britanike këtë javë, ndërsa deputetët u kthyen nga pushimet, nuk është trillim – ose, të paktën, jo tërësisht.
Pse u ndërpre papritur çështja penale kundër Christopher Cash, studiues i Grupit Parlamentar për Kërkime mbi Kinën, dhe mikut të tij mësues Christopher Berry, vetëm pak kohë para se të shkonte në gjyq? Kryetari i Dhomës së Komunave, Lindsay Hoyle, ndërmori një hap të pazakontë të hënën, duke shprehur zemërimin e tij për këtë vendim dhe frikën se Parlamenti nuk po mbrohej siç duhet nga ndërhyrjet e huaja.
Prej ditësh, qeveria aktuale dhe ajo e mëparshme ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për dështimin për ta shpallur Kinën si kërcënim për sigurinë kombëtare — një hap i domosdoshëm pa të cilin, siç tha drejtori i Prokurorisë së Përgjithshme, gjyqi nuk mund të vazhdonte. Tani pritet që Ligji për Sekretet Zyrtare të rishikohet. Por nën këtë debat ligjor fshihet një pyetje shumë më e ndërlikuar: deri ku mund të shkojnë shtetet e vogla që kanë nevojë për investime të huaja, pa rrezikuar të ofendojnë një superfuqi të pasur — madje edhe kur ajo punon hapur për t’i minuar ato?
Kur ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Mark Sedwill apo ish-drejtori i Shërbimit Sekret John Sawers bashkohen me deputetë për të shprehur habinë që provat kundër Cash dhe Berry nuk u shqyrtuan në gjykatë, ajo që dëgjon është jehona e një debati dhjetëvjeçar që zhvillohet në prapaskenë: sa e rrezikshme është të mbetesh i varur nga një autokraci që përfaqëson njëkohësisht rrezik dhe mundësi.
Por shqetësimet gjeopolitike nuk janë e vetmja arsye pse Uestminsteri është i fiksuar pas këtij rasti. Politikisht, ai po kthehet në një armë të fuqishme kundër Jonathan Powell-it, njeriut që pas Morgan McSweeney – tashmë vetë i dobësuar nga ngjarjet e fundit – është figura më e rëndësishme në të cilën Keir Starmer mbështetet për të mbajtur qeverinë nën kontroll.
Suksesi i vetëm i dukshëm i Starmer gjatë këtij viti në detyrë ka qenë menaxhimi i politikës së jashtme, për të cilën ai i detyrohet shumë përvojës së gjatë të Powell-it si diplomat dhe më pas si shef kabineti i Tony Blair. Tani që edhe Peter Mandelson, një tjetër figurë e mbijetuar nga ajo epokë, është shkarkuar me turp, është pikërisht Powell ai që përfaqëson ndikimin e mbetur të “blairistëve të vjetër” mbi një qeveri që shumë e akuzojnë se po përpiqet të rindërtojë modelin e viteve ’90.
Lavdërimet që Powell mori këtë fundjavë nga i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff – i cili e falënderoi për “kontributin e jashtëzakonshëm dhe përpjekjet e palodhura” në sigurimin e një marrëveshjeje për paqe në Lindjen e Mesme – nuk ndihmojnë në heqjen e dyshimeve se “ekipi i vjetër” po tërheq fijet pas skenës, sidomos mes aludimeve se Blair mund të luajë një rol kyç në rindërtimin e Gazës.
Në këtë klimë, nuk është çudi që fundjavën e fundit u shfaqën sulme anonime ndaj Powell-it, duke e akuzuar për “butësi ndaj Kinës”.
Qëndrimi zyrtar i Downing Street është i prerë: qeveria nuk ka ndërhyrë për të ndikuar në vendimin e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës për ta pushuar çështjen, dhe megjithëse Powell ka marrë pjesë në një takim në Whitehall muajin e kaluar ku u diskutuan akuzat për spiunazh, ai “nuk ka pasur asnjë rol në përmbajtjen apo provat e rastit”.
Kritikët e tij kundërshtojnë se kjo s’është çështja e vërtetë. Por pasi askush nuk është në gjendje të specifikojë saktësisht se në çfarë qëndron akuza – përveç faktit se Powell ka ndikim të madh në Nr. 10, gjë që varet nga këndvështrimi politik nëse është e mirë apo e keqe – është e vështirë të japësh përgjigje.
Ndërkohë, opozita konservatore, megjithëse duket e shuar, po arrin të organizojë një sulm të befasishëm efektiv, ashtu siç bëri muajin e kaluar në skandalin e Angela Rayner për taksën e pronës, dhe tashmë po akuzon për një mbulim të qëllimshëm të rastit – një akuzë edhe më shpërthyese në një epokë ku mendësia konspirative është bërë normë.
Britania ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të ndërlikuara me Kinën.
Ishte George Osborne si ministër i Financave që e nisi “epokën e artë” të marrëveshjeve tregtare me Pekinin, duke mposhtur kundërshtitë brenda kabinetit të tij.
Më vonë, qeveria e Theresa May u përball me dilema mbi përfshirjen e kompanisë kineze Huawei në ndërtimin e rrjetit 5G, çka çoi edhe në shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Gavin Williamson për rrjedhje informacioni.
Rishi Sunak, që trashëgoi shqetësime për sulmet e hakerëve kinezë ndaj Komisionit Zgjedhor dhe ndikimin e aplikacionit TikTok, e quajti Kinën “kërcënimin më të madh shtetëror për sigurinë tonë ekonomike”, por refuzoi ta shpallte zyrtarisht si armik.
Tani është radha e Keir Starmer për t’u përballur me të njëjtin makth diplomatik – në një kohë kur ekonomia është në krizë, kur çdo investim i huaj është jetik për mbijetesën e qeverisë laburiste ndaj presionit të partisë Reform, kur SHBA nuk është më aleati i qëndrueshëm i dikurshëm, dhe kur Pekini po vëzhgon me kujdes se sa shumë mund t’i lejohet Rusisë në Ukrainë, ndërsa hakerët rusë e kinezë po paraqesin kërcënime ekzistenciale për bizneset britanike.
Një epokë, me fjalë të tjera, ku një kryeministër i papërvojë mund të fundoset lehtësisht pa këshilla të mençura.
Ditët në vijim do të tregojnë nëse Keir Starmer do të arrijë të qëndrojë në këmbë.
Gaby Hinsliff është kolumniste e “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
