Dhjetëra gazetarë janë larguar nga Pentagoni në shenjë proteste ndaj kufizimeve të reja të vendosura nga administrata e Donald Trump, të cilat ata i konsiderojnë një kërcënim serioz për lirinë e shtypit, raporton Euronews.
Gazetarët dorëzuan kartat e identifikimit dhe u larguan nga godina pas njoftimit të rregullave të reja, të miratuara nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Sipas tyre, këto masa kufizojnë aksesin dhe raportimin e pavarur, duke i bërë ata të rrezikojnë dëbimin nëse publikojnë informacione të paautorizuara apo të klasifikuara.
“Është një moment i trishtueshëm, por jam krenare për trupën e shtypit që qëndroi e bashkuar”, deklaroi Nancy Youssef, gazetare e The Atlantic dhe reportere veterane në Pentagon që prej vitit 2007.
Administrata Trump, nga ana e saj, e ka justifikuar vendimin si një përpjekje për të “rregulluar një shtyp shumë shkatërrues”, duke theksuar se rregullat e reja janë “të shëndosha dhe të nevojshme”.
Rregullorja e re vjen disa muaj pas një skandali të brendshëm sigurie, kur u zbulua se Hegseth kishte ndarë përmes telefonit të tij privat plane të ndjeshme ushtarake me gruan, vëllain dhe avokatin personal.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ndikimi praktik do të kenë kufizimet e reja në raportimin e përditshëm, ndërsa organizatat mediatike janë zotuar se do të vazhdojnë mbulimin e plotë të çështjeve ushtarake.
Presidenti Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë, mbështeti haptazi vendimin e sekretarit të tij të mbrojtjes.
“Mendoj se ai e sheh shtypin si shumë shkatërrues për paqen botërore,” tha Trump, duke shtuar se “shtypi është tepër i pandershëm.”
Para hyrjes në fuqi të politikës së re, Hegseth — ish-prezantues në Fox News Channel — kishte kufizuar ndjeshëm aksesin e gazetarëve në Pentagon, kishte mbajtur vetëm dy konferenca zyrtare për shtyp dhe kishte nisur hetime për rrjedhje informacioni në media.
