BBC ka kërkuar falje për një gabim në editimin e një fjalimi të Presidentit amerikan, Donald Trump, në dokumentarin “Panorama”. Lajmi vjen pas dorëheqjeve të drejtorit të përgjithshëm të BBC-së dhe kreut të lajmeve.
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, deklaroi se redaktimi i fjalimit të Trumpit krijoi një përshtypje të gabuar dhe duhej trajtuar me më shumë kujdes. Ai shtoi se çështja ishte shqyrtuar më parë këtë vit brenda institucionit, por veprime formale nuk ishin ndërmarrë.
“Është plotësisht e qartë se BBC duhet të mbrojë paanshmërinë,” shkroi Shah në një letër dërguar ligjvënësve britanikë, duke theksuar përkushtimin e transmetuesit për të rikthyer besimin e publikut dhe për të siguruar standarde të larta drejtësie dhe korrektësie në gazetari.
Për editimin e fjalimit të Trump, Shah tha se pas shqyrtimi të mëtejshëm, BBC pranoi se mënyra si ishte redaktuar krijonte përshtypjen e një thirrjeje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm. “BBC kërkon falje për këtë gabim gjykimi,” përfundoi ai në letër.
Programi Panorama, i transmetuar një javë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, kishte bashkuar dy pjesë të ndryshme të një fjalimi të Trumpit, duke krijuar përshtypjen se ai po nxisë trazirat në Kapitolin e 6 janarit 2021./MXH
