Last Updated on 11/11/2025 by Monika
“Kjo ngjarje do pasohet nga një ngjarje tjetër ku grupi tjetër i goditur sot do të marrë hak me të njëjtin skenar”. Është ky paralajmërimi i ish-deputetit Enkelejd Alibeaj në Ditarin me Pandi Gjatën, pas atentatit mafioz në Rinas ku u ekzekutua me breshëri plumbash krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe mbeti i plagosur rëndë punonjësi i AMP-së.
Alibeaj theksoi se krimi e ka sfiduar shtetin sepse ushqehet nga shteti dhe këtë e bazon edhe në faktin që së bashku me Gilmando Danin, një personazh i krimit me precedentë penalë dhe i dënuar, ndodhej edhe punonjësi i AMP-së Mustafa Sheqeri.
“Krimi e ka mëse të lehtë jo vetëm për kryer vepra penale, por ndjehet i pacenuar, i pakufizuar, i pambikëqyrur. Si mund të ndodhë në një makinë një personazh i dënuar dhe i liruar nga burgu me një përfaqësues të policisë. Pse-në e kësaj e gjen në sallën e parlamentit kur ministrja e brendshme raportonte një Shqipëri të sigurt. Krimi e ka sfiduar shtetin sepse krimi është ndihmuar prej shtetit. Krimi ushqehet nga shteti me procedura korruptive prokurimesh, miqësie me pushtetarë e politikanë. Ky është një shtet që nuk e mbron jetën e qytetarëve. Aty mund të ishte bërë një masakër”, deklaroi Alibeaj.
Duke sjellë në vëmendje ngjarjet kriminale përgjatë këtij viti Alibeaj tha ky është një bilanc lufte.
“Nga 4 janari deri në 4 nëntor janë 20 raste me vrasje e përdorim tritoli, dy ngjarje në muaj pa përfshirë këtë të sotmen. Ky është bilanc lufte jo i një vendi të qetë ku siguria mbizotëron ku shteti është në këmbë”, theksoi ai.
Sipas tij zgjidhja është vetëm politike, pasi shteti thotë ai është në aleancë me krimin dhe drejtuesit e policisë në qarqe caktohen nga krimi.
