Një ndër bregdetet më magjepsës të Mesdheut, Riviera Shqiptare, ka hyrë në listën e 26 destinacioneve që pritet të shënojnë udhëtimet globale të vitit 2026, sipas raportit më të fundit të publikuar nga Chase Travel, një nga platformat më të mëdha të rezervimeve në botë.
Në raportin “26 Trips to Take in 2026”, Shqipëria renditet krah destinacioneve të mirënjohura si Côte d’Azur në Francë, Arktiku kanadez apo bregdeti kilian, si pjesë e një liste që synon të përmbledhë destinacionet më frymëzuese dhe me potencial të jashtëzakonshëm për eksplorim vitin e ardhshëm.
Sipas Chase Travel, përzgjedhja e Rivierës Shqiptare vjen në kuadër të një tendence të re botërore: destinacionet e dikurshme “sekrete” të Evropës Juglindore po kthehen në pika referimi për turistët që kërkojnë eksperienca autentike, çmime të arsyeshme dhe një lidhje më të drejtpërdrejtë me natyrën.
Përfshirja e Rivierës në një listë të përzgjedhur nga një markë prestigjioze si Chase Travel konsiderohet një rekomandim i vlefshëm për imazhin turistik të Shqipërisë.
Në listën e këtij viti, Chase ka përfshirë destinacione të ndryshme që reflektojnë ndryshimin e shijeve dhe të preferencave globale pas pandemisë, nga udhëtimet rrugore në SHBA, te eksplorimi i fenomeneve natyrore apo kërkimi i kuzhinës “premium casual”.
Për Shqipërinë, ky është një moment që konfirmon atë që udhëtarët ndërkombëtarë tashmë e kanë zbuluar vetë: nga Dhërmiu në Jalë, nga Himara në Borsh e deri në Karaburun, bregdeti shqiptar nuk është më një sekret i vogël mesdhetar, por një destinacion që po ngjitet në majat e listave ndërkombëtare.
