Last Updated on 11/11/2025 by Monika
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e ndodhur ditën e sotme pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti viktimë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani.
Policia kriminale e Tiranës, ka zbuluar agjencinë e udhëtimit, ku janë prerë biletat për Danin dhe Shaljanin për në Barcelonë, ndërsa dyshohet se nga aty ka rrjedhur informacioni i hyrje-daljeve të tyre në vend tek personat që kanë bërë atentatin.
Një zyrtar i lartë i Policisë, i ka deklaruar se dy viktimat e këtij atentati nuk ishin të armatosur dhe në momentin e sulmit nuk kanë mundur të bëjnë asnjë reagim për kundërpërgjigje.
Raportohet gjithashtu se autorët kanë qëlluar drejt makinës së dyshes nga një distancë shumë e afërt. Automjeti me targa AB 099UO, i cili u godit nga breshëria e plumbave, i përket Elvis Kosovës, personit të cilit muaj më parë i vendosën një tritol në garazh.
Autorët e krimit ende nuk dihen, ndërsa deri tani është gjetur i djegur vetëm automjeti që dyshohet se është përdorur nga ata. Policia njoftoi më herët se, brenda automjetit të djegur në fshatin Halil në Krujë, u gjetën edhe 4 armë zjarri që janë dërguar për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore.
