Ministrat e Mbrojtjes të Gjermanisë, Britanisë, Francës, Italisë dhe Polonisë zhvilluan një takim në Berlin, ku riafirmuan angazhimin e tyre për mbështetjen ushtarake të Ukrainës, në kushtet kur agresioni rus vazhdon të rrezikojë sigurinë europiane.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, njoftoi se Berlini do të kontribuojë me të paktën 150 milionë euro në një paketë të re të programit amerikan PURL, i cili siguron armë që prodhohen vetëm në Shtetet e Bashkuara.
“Siç e dini, Gjermania po merr pjesë në mekanizmin e quajtur PURL. Kjo do të thotë se ne po financojmë sisteme armatimi që prodhohen vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe që Ukraina i ka urgjentisht të nevojshme. Shembuj të rëndësishëm janë sistemet Patriot dhe, mbi të gjitha, raketat për to,” theksoi ministri gjerman.
Pistorius shtoi se vendimi për paketën e re është marrë me urgjence, pas konsultimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
“Dje ramë dakord që Gjermania të marrë pjesë në një paketë tjetër këtu në Gjermani. Ramë dakord për një kontribut prej të paktën 150 milionë euro. Po bëjmë përparim edhe në këtë drejtim,” tha Pistorius.
Në takim ishte e pranishme edhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila theksoi nevojën për financime të reja gjate vitit të ardhshëm.
“Ukrainës do t’i duhet më shumë financim vitin e ardhshëm. Ka disa opsione, por përdorimi i aseteve të ngrira ruse është mënyra më e qartë për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Kjo i tregon Rusisë se koha nuk është në anën e saj,” theksoi Kaja Kallas.
Ajo theksoi se sanksionet ndaj Rusisë duhet të vazhdojnë të forcohen.
Takimi në Berlin u mbyll me një angazhim të qartë për vazhdimin e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën, në një kohë kur lufta dhe tensionet e sigurisë në Europë mbeten në rritje.
Nga ana tjetër, Rusia thotë se presidenti Vladimit Putin mbetet I hapur për një samit me liderin amerikan, Donald Trump në Budapest. Gjatë një deklarate publike, Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova tha se Kremlini do të veprojë nëse NATO sulmon.
Ajo konfirmoi se vendet e NATO-s nuk do të sulmohen nga Moska./MXH
