Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, u bë pjesë e fushatës dimërore të Evening Standard për të mbështetur refugjatët, personat pa strehë dhe ata me pasiguri ushqimore në Londër. Nismën e mbështet edhe organizata Comic Relief, e cila ka dhuruar 500,000 £ për këtë iniciativë.
Në një intervistë për “Evening Standard”, bukuroshja me origjinë shqiptare, Rita rrëfeu historinë e saj si fëmijë refugjate nga Kosova, duke treguar se kjo përvojë ka formësuar identitetin dhe karrierën e saj.
“Rritja si një fëmijë refugjat formoi gjithçka rreth asaj që jam,” tha ajo.
“Kur prindërit e mi ikën nga Kosova për të shpëtuar nga përndjekja ndaj shqiptarëve, ata lanë gjithçka për sigurinë dhe një fillim të ri në Mbretërinë e Bashkuar. Duhet të rindërtonin jetën nga e para. Nëna ime, e cila ishte psikiatre në Kosovë, duhej të mësonte anglishten dhe të ri-specializohej. Babai im punonte netëve të gjata për të siguruar një të ardhme për ne. Guximi i tyre ndërtoi themelin për gjithë jetën time, dhe muzika u bë strehimi im.”

Rita gjithashtu vlerësoi mikpritjen që mori familja e saj në momentet më të vështira dhe theksoi rëndësinë e komunitetit.

“Njerëzit që na mirëpritën na bënë të ndihemi të pranuar dhe pjesë e diçkaje më të madhe. Kjo mirësi më ka shoqëruar gjithmonë. Më mësoi se të ndihesh pjesë e një komuniteti nuk është diçka që të jepet, por diçka që e krijojmë së bashku, përmes dhembshurisë dhe hapjes ndaj të tjerëve,” shtoi ajo./MXH
