Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, e cilësoi si “lajm të mirë” miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila synon t’i japë fund luftës në Gaza dhe parashikon vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizuese në territorin palestinez.
Pas takimit me homologun e tij serb në Beograd, Wadephul tha se Gjermania mbetet e gatshme të kontribuojw në rindërtimin e Gazës dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës.
“Ky është një lajm i mirë. Tregon se sistemi i Kombeve të Bashkuara po funksionon. Gjermania e ka bërë gjithmonë të qartë se kjo rezolutë është çelësi vendimtar për një të ardhme paqësore mes Izraelit dhe palestinezëve. E shohim si një gur themeli drejt një të ardhmeje më të ndritshme, të cilën e mirëpresim me gjithë zemër,” deklaroi ministri.
Wadephul theksoi se Berlini po pret ftesat zyrtare nga Egjipti, të cilin e sheh si aktor kryesor në procesin e organizimit të bisedimeve dhe koordinimit të ndihmave për Gazën.
Ndërkohë që ky vendim është mirëpritur nga shumë liderë botërorë, palestinezët e konsiderojnë si një rezolutë kujdestarie që nuk pasqyron aspiratat dhe shpresat e palestinezëve për arritjen e paqes dhe krijimin e një shteti palestinez.
“Në dritën e gjenocidit që na është nënshtruar, heshtjes së botës dhe situatës së tmerrshme që po jetojnë palestinezët, kjo rezolutë për fat të keq e ka shndërruar ndihmën në një mjet për shantazh politik,” tha një banor palestinez.
Rezoluta u miratua në Këshillin e sigurimit të OKB-së me 13 vota pro./MXH
